Këshilla shëndetësore nga doktor Zeka gjatë ditëve të verës
Dr. Visar Zekaj
Të dashur miq!
I nxehti i madh që po mbretëron në vendin tonë mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin tonë, sidomos për të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike.
Grupet më të rrezikuara janë:
Të moshuarit,
Foshnjat dhe fëmijët e vegjël,
Personat me sëmundje kardiovaskulare,
Personat me diabet dhe tireotoksikozë,
Personat me sëmundje të mushkërive,
Personat me çrregullime mendore,
Personat me sëmundje të veshkave, gurë në veshka, pamjaftueshmëri të veshkave e tjera,
Gratë shtatzëna.
Sistemi i rregullimit të temperaturës trupore, gjatë të nxehtit të madh nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt dhe kjo varet nga koha e ekspozimit, shpeshtësia dhe intensiteti i ekspozimit. Te moshat e shtyra zvogëlohet aftësia e rregullimit të temperaturës së trupit, bie toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndihet me vonesë, reaksioni i djersitjes është më i vonë e po ashtu numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.
Te të sëmurët kardiovaskular ka dëmtim të përgjigjes së termorregullimit, reduktim i përgjigjes kardiovaskulare që për pasojë ka rritjen e rrezikut të trombozës koronare dhe cerebrale, shkaktohet çrregullim i funksionimit të veshkave e bashkë me to edhe aritmi të zemrës. Pacientët me hipertension mund të kenë rënie të shpejtë të tensionit që kanë si pasojë insultet dhe iskemitë cerebrale. Çrregullimi qarkullimit të gjakut shkakton probleme te pacientët me sëmundje metabolike si te diabetikët dhe tireotoksikët. Personat me sëmundje mushkërore po ashtu kanë probleme për shkak të kombinimit të temperaturave të larta dhe ndotjes së ambientit.
Disa këshilla të thjeshta ju ndihmojnë t’i shmangni problemet që shkakton i nxehti si:
✔️ Evitoni daljet nga ora 11-17,
✔️ Vishuni lehtë, rroba të pambukta të gjera dhe hapura,
✔️ Mbani kapelë apo çadër e po ashtu për t’i mbrojtur sytë përdorni syze dielli,
✔️ Të mbahet e freskët shtëpia apo ambienti ku qëndroni, temperaturat të jenë nën 27’C,
✔️ Pini më shumë ujë edhe kur nuk keni etje,
✔️ Freskoni trupin duke bërë tush apo duke përdorë lecka të lagura,
✔️ Shmangni pijet alkoolike, lëngjet me përmbajtje sheqeri apo kofeine,
✔️ Vaktet e ushqimit të jenë më të lehta me përmbajtje të lartë uji, dhe largoni ushqimet e nxehta dhe ushqimet pikante,
✔️ Konsumoni pemë dhe perime me përmbajtje të lartë uji,
✔️ Ilaçet që përdorni t’i ruani në ambiente të freskëta.
Andaj, kujdes nga të nxehtit!
Shëndet të gjithëve!



