Metrika e poetikës së viciozitetit të hijes, së nëmurës, qiellores dhe tokësores

04 korrik 2022 | 11:27

Enver Visoka  

Sadik Krasniqi, “Parajsë e nëmur”,  Armagedoni

Një apoteozë e nëmur qiellore apo tokësore nën aurorën e parajsës të “engjëjve të fjetur”, apo thjesht një shtrëngim shpirtëror i një shqetësimi poetik tokësor duke “prekur”   /”as   brenda   as jashtë”//mure   të   zeza”/.   Një sublimin metaforik i zbërthyer me mjeshtëri dhe i shkrirë mirë ne gjithë rrafshin kompozicional të shtrirë në gjithë metrikën e semantikës së observimit poetik të vargut të Krasniqit. Një kompozicion narrativo-estetik i ngritur si zë, si meditim, si shqetësim, si aurorë e nëmur, në kërkim dhe jo edhe në gjetje të parajsës në hierarkinë qiellore! Ajo do të rrëshqasë pa pritur si ndjenjë dhe jo si vizion në dimensionin e një forme të prekshme të natyrës së nëmur tokësore, të ngritur dhe të shtrirë me një frymëmarrje krejt të natyrshme, brenda zanore dhe rrokje të ngjallura në tastierë e tingujve të një pianoje poetike, e cila shumë lehtë e merr lexuesin me vete duke kujtuar gjithmonë hijen e gishtërinjve të gjatë mbi sfondin e hijes së pianos së fjalës.

Janë këto sakramentet e dukshme të shenjës së hijes brenda një dimensioni të padukshëm të lidhur në nyjën e mëkatit apo janë vetëm tinguj sa shqetësues po aq shërues që rrjedhin aq qetë dhe aq dukshëm në lumin e thellë të vargut, duke ngritur dhe sforcuar identitetin krijues të autorit si bazament të fuqishëm për artikulimin konceptual e spiritual të gjithë materies artistike nëpër rrathët spiral të shkrirë brendapërbrenda njësive ndërtimore të librit me poezi “Parajsë e nëmur”.

Vërtet sa është tokësor apo qiellore misteri i shfaqur gri në bulëzimet poetike brenda metrociozitetit dhe viciozitetit spiritual  e meditativ të vargjeve në gjithë kompleksivitetin mistiko-tokësor të parajsës së nëmur!? Sa dhe si hapet e si mbyllet ai? Është një shfaqje e pazakontë!? Një zhgënjim optik apo thjesht është një joshje ,një shqetësim i mbyllur që hap koordinatat e majës së bregut të heshtjes duke matur në mënyrë të zakontë metafizikën e akullt të heshtjes së thyer apo thjesht është një perceptimit sureal gri i një deliktit shpirtëror i ardhjes dhe ikjes së “hijes” nga qendrat vicioze të misterit drejt poetikes; pikës së ndezur të misterit!

Me hijen e gishtërinjve

prek tastierën e pianos

që rri e mpirë në mendime 

/Mistershëm/
Kjo /melodi e luajtur heshtur/ /për të shenjtët që afër janë diku/ , megjithëkëtë na bënë të shohim lidhjen e ngushtë të tokësores brenda parametrave të matur të mistikës që vibrojnë ethshëm në sipërfaqen e ftohtë të heshtjes pa ngritur valë aq të dukshme trazuese apo klithma aq shumë shqetësuese. Nga këto segmente të matura mirë brenda kufijve të një vargu  konciz e të strukturuar mjaft mirë, ngritën po ashtu edhe motivet tjera, të cilat në esencë janë të sinkronizuara dhe të shkrira mirë në strukturën e përgjithshme ndërtimore aq sa  vështirë është t i ndash ato nga subjekti i brendshëm apo thënë më mirë nga trungu i përgjithshëm si njësi të vetme të kurorës estetike. Përjashtim fare të vogël deri-diku do të mund të bënin poezitë “Këmisha me flutura”  dhe  “Treni”, të cilat thjesht janë dy shtylla kryesore të ngritura aq mirë mbi bazamentin e një strukture të një arkitekture poetiko-narrative që mbajnë dhe i japin peshë poetikës së pesë harqeve të njësive ndërtimore të veprës së artit e po ashtu në të njëjtin funksion këto shtylla hapin horizontin e një dimensionit kohor të perënduar brenda ndjeshmërisë së brishtë të kufijve hapësinor të kujtimeve të dhimbshme të ndërlidhura me klishe pritjesh pranë binarëve të trenit dhe, në një mënyrë apo tjetër këto dy poezi mbajnë emblemën e koloritit koleksionues brendapërbrenda formës impulsive së shkrepjes së kujtimeve foto vetëtimës e që në esencë dallojnë për nga veçantia dhe qartësia ; pra duke u ngritur si shtylla përcaktuese para së gjithaq për nga mënyra e ndërtimit, shprehjes, formulimit gjuhësor e para së gjithash figurativ e observues në raport me poezitë e trungut në përgjithësi.

E zgjoj tim atë nga gjumi i përjetshëm

e bëj të mishtë e me shpirt

të ma sjell atë këmishë vija-vija

këmishën e parë me flutura

/Këmisha me flutura/

Apo te “Treni”, hapet sikur papritur forma e tejdukshme e artikulimit emocional në rrafshin spiritual me një ndjeshmëri sa të matur po aq të hapur, të ngritur e të skalitur fuqishëm mbi kohën e ikur si element lëvizës e shqetësues : /tash kemi me pa trenin/ /por kali ka me na u tremb/. Sikur aty çdo gjë ndalet, pushon dhe amshueshëm bie heshtja: më mirë që baba s’asht ma gjallë në këtë shtet që s ka ma trena.

Një qortim poetik, një refleks i fuqishëm që përcakton fuqinë e artit dhe gjurmët identifikuese e komperative të kohërave si bazament esencial e emocional në rrugën e ngritjes apo rënies shpirtërore e ekonomike përgjatë rrugëtimit të parë të një shoqërie të dalë nga lufta. E që ky hendikep shoqëror na del i shfaqur edhe në vargjet e tjera; tek binarët e vjedhur! Pra binarët e trenit janë të ngritur mbi memorie si elemente më të rëndësishme të zhvillimit të trurit të një shoqërie në rrafshin shoqëroro- ekonomik e pse jo edhe në atë kulturor. Të gjitha këto vargje, të rrafshit të formës observuese kohë dhe kthesë, janë të kodifikuara dhe shërbejnë para së gjithash si numra identifikues për të kaluar në portalet e matematikës së poetikës meditative të fushës së figurshmërisë së kompleksivitetit figurativo-stilistik e estetik e para së gjithash janë gjurmë të një rëndësie të veçantë të një zhvillimit shoqëror, ekonomik e kulturor, po ashtu të veçantë, për ata që do të vijnë!

Brendia e harmonisë së thellësisë dhe thjeshtësisë së vargut të qetë që zakonisht në forma të tjera shfaqet tek poezia japoneze e që është gati fare e vështirë dhe nxënëshme për lexuesin evropian, përafrohet aty këtu për nga mënyra dhe jo forma edhe te vargu  i Krasniqit. Këto elemente të kultivuara mirë e të shfaqura në forma të shkurtra vërtetuese brenda tërësisë së poezisë, i hasim jo rrallë por jo të ndara në njësi të formës së shkurtër, të zbrazët (si koncept filozofik) apo të imituara për nga spirtualiteti arkitektural, por si rrymë e natyrshme refleksionesh si prodhime të një perceptimit shpirtëror të së kapshmes e nganjëherë pse jo edhe të së pakapshmes që lë të kuptojë se cila është vërtet hija! Një zhgënjim optik, një ngjyrim i errët si reflektim i dritës ,një hapje mistike në sfondin e pakapshëm të nënvetëdijes apo thjesht një formë e hapur perceptuese e mistikës si element që del herë pak e dukshme dhe deri-diku e kapshme e herë e pakapshme por e dukshme!

 Me hijen e gishtërinjve

prek tastierën e pianos 

………………………………………
një hije gri se nga vjen

stepen gishtërinjtë e mi 

e tastierën e pianos

luajnë luajnë

një melodi

/Mistershëm/

Apo te rrathët e ferrit:

…………….
e pak sa s të prekë flaka e verdhë

është një dorë

që të prekë gishtërinjtë

do ta marrë a do ta lëshojë

dorën tënde

në këtë gjendje pezull

ajo dorë

Siç e përmendëm edhe më lart, në rrathët gjysmëharkorë të këtij qarkullimi vicioz të krijohet përshtypja se hijet e zgjatura të gishtërinjve të përcjellin gjatë gjithë procedimit të heshtur poetik. Dhe rrathët e ferrit, molla e pjekur si dhe shumë figura tjera stilistike në funksion të simbolit apo metaforës, në një mënyrë apo tjetër duken të jenë të funksionalizuara deri në një masë të caktuar në misticizëm si elemente kyçe për të kaluar në pluralizmin e gjer estetiko- figurativ përmes mallkimeve e që krejt në fund nuk mbetën asgjë më shumë se natyrë e egër apo e nëmur njerëzore si një mekanizëm për të ngritur aq shumë dilema për vetëkzistencën; si bërthamë evulitive, krijesë e dalur nga kopshti Edenit i mbyllur dhe i mbytur në thellësinë e mëkatit apo një përbërje thjesht unikate për t´iu afruar relativitetit të laborit të madh jetë dhe njeri!  Mëkati si një metaforë që përcakton enigmën e evolucionit shpirtëror zbret fare heshtur në rrafshin tokësor ; i pafajshëm, sot si pjellë e thjeshtë e një delikti të natyrës së egër shpirtërore me prejardhje nga afshi, lakmia e keqja apo thjesht nga i biri i dreqit!

Eva pafajshëm helmoi

shpirtin dhe adamin e vet

ishte e re iu kishte tharë goja

kur kaloi pranë mollës së pjekur

/Mëkati i pafajshëm/

Në shtrirjen universale të poezisë së Krasniqit nuk është aspak e lehtë të vërehet lëvizja e motiveve nëpër njësitë ndërtimore të subjektit poetik. Lëvizjet e koloritit të tyre shtrihen në formë rrymimesh të prekshme brenda përbrenda rrjedhës së përgjithshme të lumit të fjalës. Pra, brenda valës së qetë të fjalës, ritmi i tyre është i shkrirë aty në gjithë shtrirjen e horizontit poetik. Këto rrymime, megjithatë shumë pak të hetueshëm gjatë leximit të parë, qarkullojnë nga njëherë dhe vibrojnë duke ndërruar trajtë e u formësuar në rrathë apo gjysmërrathë spiralorë  brenda dhe jashtë si përbërje e shkathët e njësive ndërtimore. Pra këto kthesa nuk janë ikje apo shmangie nga sekuencat universale metriko-poetike, ato janë ngritje të natyrshme brenda sfondit të natyrës së vet apo thjesht janë pjesë karazmatike e identitetit krijues! Zakonisht këto qasje i ndeshim karshi jetës së ikur, e cila nuk do mend se reflekton sa trishtim po aq edhe mall. “Fryma e nanës” p. sh.  është  e inkorporuar mjaftë mirë dhe në tërësi është një frymë identifikuese e veçantisë së vargëzimit dhe ashtu si edhe disa poezi tjera mishërohen me shpirtin e poezisë në tërësi dhe në veçanti qëndrojnë brenda galerisë së harmonizuar figurativo-stilistike që përfundimisht janë të kapshme mjaft mirë nga prizmi ndjenjor, kuptimor dhe para së gjithash nga ai estetik.

Precizioni,  saktësia dhe formulimet koncize janë  elementet kyqe në  arkitekturën e morfologjisë së poezisë si veçanti e veprës “Parajsë e nëmur”.

Brenda gjithë shtrirjeve të perimetrave të premisave observuese poetike në kompleksivitetin gjuhësor dhe figurativ në gjithë veprën letrare, rrafshi estetik shpërthen mbi rrathët e formës së ngritur figurative, e cila s´ do mend se lexuesin e bënë te mendojë përmes shkallës (së shtatë) gama të metaforës ́ (si shkallë më e lartë e precesionit të figurshmërisë   biblike) apo shpeshherë përmes   të simbolit që përcakton individualen dhe universalen në formën e origjinës së prerë të bërthamës njeri dhe komb si subjekt jo vetëm historik por edhe meditativ.  /Në  natën e poetit/ është Disku i Efisit ai që  kalëron lexuesin deri në Aleksandri për ta kthyer aty ku është sot! Pra:

Me Diskun e Efisit kalëron shtigjeve deri në Aleksandri

lexon fletët e djegura pran detit në pikëllim

e lë një plis te hija e Aleksandrit

/Nata e poetit/

Që të gjitha këto obsesione dalin të heshtura “nga brendia e shpirtit” për të kaluar në dimensione të reja e prekur shpeshherë brenda rrathëve të natyrës hyjnore si konstalacion i rastësishëm  poetiko-shqetësues me përmasa të një labori parajse të nëmur karshi jetës, mëkatit dhe vdekjes por gjithmonë në thjerrëzën e trajtës emblematike të mbyllura në misterin e botës së nëmur. Pikërisht aty te burimi i shqetësimit  të heshtur poetik karshi perceptimit shpirtëror e artistiko-meditativ del se /  është si t´i prekësh me gishtërinj lulet e parajsës/   /me Hyjin pranë që të prekë në krah   /.   Hyjin   dhe   ferrin, Krasniqi pastaj do ta zhvendos në tokë karshi dhunës së nëmur njerëzore; në Aleppo me pamjen e dhimbshme të një nëne duke kërkuar fëmijën e vetë në gërmadhat e një qyteti të shkretëruar nga lufta:

Zot pse s po i njeh fëmijët e mi

krejt të njëjtë qenkan bërë këta engjëj 

me fytyrë prej dheu e gjak të zi

/Ferri mbi tokë/

Emfatia e glorifikuar në përmasa nganjëherë shpërthyese e ngrit intonacionin poetik në shkallën e lakmueshme të përformancës mega në rrafshin artistik. Mirëpo, këto përmasa natyrshëm mbeten jashtë disonancave akustike,  gjithherë i shohim të ngritura dhe të peshuara mirë brenda konturave të qendrueshme të spirtualitetit poetik të autorit të këtyre vargjeve! Ashtu edhe si në shumë poezi tjera, metafora është në qendrës mega, ajo merr një funksion shumë të ndjeshëm figurativ dhe, edhe pse ajo në pamje të parë duket të jetë pak sa e mbyllur, prapë se prap nuk çon kah hermetizmi, në të kundërtën ajo është një figurë e fuqishme meditative për hapjen e lirë dhe jep mundësi interpretimi e para së gjithash është mjaft konstalacionuese gjatë kommunikimit poetik dhe estetik:

Me gjurmë gishti dekodojmë dritën e portës

hyjmë në arkivolin e qelqtë

/Arkivoli i qelqtë/

Të gjitha elementet e sublimuara në poetikën e librit me poezi “Parajsë e nëmur” e autorit Sadik Krasniqi, duke mos lënë anash gjuhën e pasur, teknikën në një shkallë të lartë preciziteti, figuracionin, stilin etj. përbëjnë një strukturë kompozicionale e interferuese mes realitetit dhe të bukurës në art, të cilat jo rrallë dalin të zymta, të trazuara brenda kufijve të ankthit dhe ekzistencës; por gjithmonë në funksion të komunikimit të ndjeshëm me lexuesin. Këto elemente të natyrshme për botën njerëzore ,dhe pse jo edhe për shpirtin e natyrës në përgjithësi, veprës së artit i shtojnë përformancën poetike në radhë të parë, dhe në të dytën e ngritin atë në një shkallë të lakmueshme të perceptimit e komunikimit artistik.

E veçanta e ngritjes së ngjyrave të errëta në art mbanë emblemë filozofike. Pse pikërisht filozofike? Sepse është më së pari medituese dhe trazuese, dhe se dyti përmes këtyre ngjyrave, ashtu si kanë vepruar edhe shumë poetë e filozofë, (para së gjithash ata japonezë) i qasen më lehtë dhe më mirë kuptimit të formës së zbrazët! Poezia në art ashtu si edhe piktura janë forma shumë të përshtatshme për t iu afruar këtij misteri, pikërisht përmes  procesit të shqetësimeve poetike kalohet në këto ngjyra e që nganjëherë të bëjnë të ikësh shumë larg vetes apo t´ i afrohesh tepër afër vetes. Nyja e gjithë kësaj katrahure në miniaturë ́ mbetet një enigmë e pazgjidhur, e mbyllur brenda kësaj forme shqetësuese ,e ngujuar në pafundësinë e botës së errët të formës së zbrazët, nga nis shtegtimi i saj përmbajtjesor drejt majave të perceptimit filozofiko-estetik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim delegacionet nga…