Një i vdekur dhe një i lënduar nga aksidenti në magjistralen Mitrovicë – Skënderaj
Një person i moshës 66-vjeçare ka mbetur i vdekur si pasojë e aksidentit të trafikut që ndodhi sot në fshatin Lushtë, në segmentin rrugor Skënderaj – Mitrovicë.
“Në segmentin rrugor Skënderaj – Mitrovicë, në fshatin Lushtë, sot rreth orës 13:50 është raportuar për një aksident trafiku, ku si pasojë e lëndimeve një person D.O., 66-vjeçar e ka humbur jetën dhe një tjetër ka pësuar lëndime dhe është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicën e Jugut”, ka thënë për Klan Kosovën, zëdhënësja e Policisë Rajonale të Mitrovicës, Fexhrije Pllana.
Nita Mustafa, zyrtare për Informim në Spitalin e Mitrovicës, e ka konfirmuar vdekjen e pacientit që ishte dërguar në Emergjencë si pasojë e aksidentit.
“Pacienti ka ardhur në Emergjencë në ora 14:24, dhe ka ardhur pa shenja jete. I janë bërë të gjitha masat e reanimimit kardiopulmonar dhe pas njëzet minutave është konstatuar vdekja e tij nga mjeku kujdestar, dhe është dërguar për obduksion”, ka thënë Mustafa për Klan Kosovën.
“Viti i lindjes i të vdekurit është 1955”.
Klan Kosova kishte raportuar më herët për këtë aksident që kishte ndodhur pak orë më parë.



