Gjykata vendosë në favor të Qeverisë së Shqipërisë për mbylljen e kolegjit turk

07 tetor 2022 | 12:54

Gjykata Administrative në Tiranë ka rrëzuar padinë e fondacionit Gylistan, që kundërshtonte vendimin e ministrisë së Arsimit për heqjen e licencës dhe mbylljen e kolegjit privat turk “Mehmet Akif”.

Me vendimin e 7 tetorit, vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për mbylljen e kolegjit turk, mbetet në fuqi.

Kolegji “Mehmet Akif” u mbyll më 22 shtator, me arsyetimin se “viti i ri shkollor nisi në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga Ministria e Arsimit, dhe nuk i ka plotësuar kriteret ligjore të vendosura nga shteti për institucionet private arsimore”.

Vendimi i qeverisë ngarkon kolegjin që të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve në institucione tjera arsimore, si dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit deri në muajin shtator.

Pak ditë më parë nxënës, mësues dhe prindër protestuan kundër mbylljes së kolegji para Kryeministrisë dhe ministrisë së Arsimit.

Me vendim të qeverisë, më 21 shtator është mbyllur edhe një kopshti privat për fëmijë, “Zubeyde Hanim”.

Kolegji “Mehmet Akif” dhe kopshti “Zubeyde Hanim” në Shqipëri janë pjesë e institucioneve arsimore “Turgut Ozal”, ku përfshihen kopshte, shkolla fillore dhe të mesme, universiteti “Epoka” dhe një konvikt për studentët.

Të gjitha këto institucione janë private dhe financohen përmes lëvizjes Hizmet, të klerikut, Fetullah Gulen.

Turqia i referohet kësaj lëvizjeje me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

Mbyllja e këtyre objekteve ka qenë vazhdimisht kërkesë e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan ndaj Shqipërisë.

Gjatë vizitës së tij në shtetin shqiptar, më 17 janar të këtij viti, Erdogani ka thënë se popullin turk “e lëndon thellë” fakti që në Shqipëri gjen fushëveprim, Lëvizja Hizmet.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk ka pasur presion nga Erdogani për mbylljen e kolegjit.

“Po të ishte një mbyllje e natyrës politike pse duhet të merreshim ne me një kolegj vajzash, kur ka shumë godina të tjera? Mua nuk më bën presion askush, asnjë lloj politikani i asnjë shteti sepse unë jam kryeministri që më kanë zgjedhur shqiptarët, jo amerikanët, turqit italianët apo të tjerë”, ka thënë ai.

Në shtator të vitit 2020, qeveria shqiptare ka mbyllur edhe disa institucione të tjera arsimore, fetare dhe laike të ngritura me financime turke, mes të cilave medresenë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë dhe “Ali Korça” në Kavajë, si dhe institucionit parauniversitar “Memorial International School of Tirana”, të gjitha të lidhura me fondacionin Gylistan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur që Çmimin Nobel për…