Mustafa thotë se viti 2022 në aspektin ekonomik parashihet të jetë sfidues për Kosovën
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka bërë me dije se vitin që e lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5% (sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar) përkatësisht 9.1 % (sipas Bankës Botërore).
Sipas tij, kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5%.
“Në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm. Nga tregjet dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë vitin e kaluar, Mali i Zi kishte rritjen më të madhe ekonomike prej 13% (sipas FMN-së) përkatësisht 12.4% (sipas BB) pasuar nga Kroacia prej 10.2%. Por sikurse Mali i Zi ashtu edhe Kroacia kishin pësuar rënie të madhe ekonomike në kohë të pandemisë (2020)”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.
Sipas tij, viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën.
“Vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. Rritje më të ulët (2.4 %) parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina. Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë”, ka shkruar Mustafa.



