Xhavit Haliti për situatën e fundit: Vuçiqi përfitoi, humbi Kosova dhe Kurti
“Show politik” për targat dhe “menaxhim i keq”, kështu e ka cilësuar deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti një seri veprimesh të kryeministrit Albin Kurti lidhur me targat dhe dialogun me Serbinë.
Xhavit Haliti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë propozimet, por edhe kërkesat e partnerëve perëndimorë lidhur me çështjen e targave.
Ai ka deklaruar se nga gjithë situata e krijuar ka përfituar vetëm presidenti serb.
“Çështja me targat, për mua është një ‘show’ (shfaqje) i panevojshëm. Është një ‘show’, ku realisht ka përfituar Vuçiqi. Ai po e fut politikën kosovare në përplasje të panevojshme, për t’i thënë pastaj BE-së: ‘ja kush janë këta dhe nuk merret vesh askush me ta’. Në planin ndërkombëtar, Kosova ka humbur më shumë dhe pastaj edhe kryeministri (Kurti)”.
“Para se të vendosim që t’iu themi ‘jo’ të gjithë aleatëve tanë, ne duhet të shohim se a kemi fuqi të përballemi me të gjitha. Ku do të shkojmë ne vetëm?”, ka pyetur Haliti.