Përurohet varri i mbesës së Hasan Prishtinës, Elma (Omer) Prishtinës

29 nëntor 2022 | 15:12

Në vigjilje të festës kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë, është përurua varri, deri më sot i paidentifikuar, i Elma Omer Prishtinës, mbesës së kryeministrit VII të Shqipërisë, Hasan Prishtina, ngjarje kjo që përkon edhe me dy ngjarje të tjera: me nisjen edhe të shtatoreve të dy viganëve të Kombit, Hasan Prishtina dhe Adem Jashari, të cilat do të inaugurohen më 28 nëntor në Mushtisht të Therandës si dhe me 100-vjetorin e artë të kolegjit universitar “Qiriazi”.

Familja Qiriazi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në Kongresin e Alfabetit në Manastir në vitet 1908-1909, kongres ky që u financua nga vetë Hasan Prishtina.

Në zbulimin e varrit të Elma Omer Prsihtinës, që u bë në varrezat e Tufinës në Tiranë, mori pjesë edhe drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina” dhe familjari i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, i cili me këtë rast pati edhe një fjalë përshëndetëse.

“Sot para jush po shpaloset një pjesë pak e njohur e historisë familjare e kolosit tonë kombëtar, Hasan Prishtina. Duke inauguruar këtë varr, të Elma Omer Prishtinës, që ishte vajza e vëllait të Hasan Prishtinës, ne sot po regjistrojmë në shiritin e kohës gjithë kujdesin dhe përkushtimin tonë për këtë familje patriotike që ishte dhe mbeti piemont i shqiptarizmës.

Duke qenë edhe vetë një nga pjesëtarët e kësaj familjeje, ndiej përgjegjësi morale e njerëzore të them se asnjëherë nuk mund të mburremi se kemi bërë mjaft për kontributin madhor të Hasan Prishtinës në favor të çështjes shqiptare.

Përkundrazi, mendoj se çdo njeri nga ne, veç e veç, si dhe kolektivisht, e kemi detyrim kombëtar t’i edukojmë fëmijët tanë në frymën e hasanizmit, si një garanci e sigurt që i jep të ardhmes sonë më tepër perspektivë dhe zhvillim.

Me inaugurimin e varrit të Elma Omer Prishtinës ne sot po dëshmojmë se jemi në rrugë të mbarë për të nderuar dhe respektuar familjet tona patriotike, sepse mos të harrojmë se këto familje ishin motorët e lëvizjes sonë kombëtare.

Elma, mbesa e Hasan Prishtinës, na fton sot gjithë neve të jemi më të bashkuar rreth idealeve tona, në mënyrë që amaneti i xhaxhait të saj – Hasan Prishtinës – për një Shqipëri dinjitoze e të bashkuar një ditë e më parë të bëhet realitet.

Një pjesë e rrugëtimit historik të kombit tonë kaloi nëpër shtigjet e Hasan Prishtinës, i cili deri në momentin e fundit të jetës së tij nuk pushoi së punuari për Shqipërinë dhe mirëqenien e saj.

Dhe krejt në fund desha të jap një falënderim për gjithë ata kuksjanë që në vitin 1977 ishin ata që përcollën në amshim Hasan Prishtinën në varrezat e dëshmorëve në Kukës. Sot ishin po të njëjtat figura qe nderuan varrin e Elma Prishtinës në varrezat e Tufinës në Tiranë.

Faleminderit prof. dr. Shefqet Hoxha, Xhavit Lashi dhe Ymer Domi që edhe sot ishit bashkë me ne me familjen Prishtina për ta nderuar kujtimin për mbesën e Hasan Prishtinës, të ndjerën Elma Omer Prishtina.

Lavdi jetës dhe veprës së Hasan Prishtinës!

Qoftë i lehtë dheu i nënës Shqipëri mbi këtë varr që me xhelozi ruajti një pjesë të trungut familjar të Hasan Prishtinës”, tha Mehmet Prishtina.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me 22 grand slam të fituara në karrierën e tij,…