Kurti: Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri, atyre po iu vije fundi
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë shpërthimet dhe të shtëna me armë zjarri që janë dëgjuar në komunat veriore të Kosovës po bëhen nga banda kriminale që sipas tij dirigjohen nga presidenti i Serbisë.
Ai thotë se më këto veprime këto struktura po tregojnë pafuqinë e tyre politike në këtë pjesë të Kosovës.
“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.



