Kurti tregon si e pritën në Austri dhe çfarë tha
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar dje për vizitë zyrtare në Austri, me ftesë të kancelarit Karl Nehammer.
Kurti ka publikuar pamje nga pritja që i është bërë atje, derisa ka thënë se Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës.
“Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme. E megjithatë ka vullnet të dyanshëm që ato të thellohen edhe më shumë sa në rrafshin politik, aq në atë ekonomik e kulturor. E falënderova Kancelarin Nehammer për ftesën e tij, bashkëpunimin e afërt dhe mbështetjen e hapur për Republikën e Kosovës, posaçërisht në integrimin evropian, dhe rrugëtimin e Qeverisë sonë reformiste”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Bashkë me Kurtin atje ka qenë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
“Gjatë qëndrimit tim njëditor në Vjenë, gjithashtu mora pjesë në diskutimin e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, me temë “Ballkani Perëndimor: pjesë kyçe e paqes së qëndrueshme në Evropë”. Aty, në prani të akademikëve, diplomatëve, ambasadorëve dhe studentëve pata mundësinë të shpalosë historinë tonë, prezantojë të arriturat tona si shoqëri, shtet dhe Qeveri, dhe të ndajë me ta qëndrimet e Republikës së Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike në kontinentin tone”, ka shkruar Kurti.