Haradinaj: Sebahajdin Cena ishte zëri intelektual dhe çlirimtar i Kosovës në ditët më të vështira
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe atdhetarit Sebahajdin Cena.
Haradinaj ka thënë se profesori Sebahajdin Cena ishte zëri intelektual dhe çlirimtar i Kosovës në ditët më të vështira.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e intelektualit dhe atdhetarit të madh, prof. dr. Sebahajdin Cena! Ai ishte zëri intelektual dhe çlirimtar i Kosovës në ditët më të vështira. Me vargjet e poetëve shqiptarë u jepte zemër ushtarëve të UÇK-së, të etur për lirinë e vendit. Trimëria dhe vendosmëria e tij deri në vetëmohim, do të kujtohet gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Cena, bashkëluftëtarëve dhe gjithë qytetarëve të Rahovecit!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.