Sveçla: Kemi identifikuar personat që sulmuan gazetarin Syla
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se pas hetimeve intensive të Policisë së Kosovës, tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Valon Syla, dhe sipas tij, shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë.
“Si qytetar dhe si ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme. Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.
“Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm”, ka shkruar Sveçla.
Syla mbrëmjen e 11 prillit ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas lëndimeve në kokë që pësoi. Ai thuhet se u sulmua nga tre persona. Sulmi raportohet se ka ndodhur pasi Syla ka dalë nga studio televizive dhe dyshohet se është përcjellë nga të dyshuarit deri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Më heret, Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se ka nisur “hetimet intensive” për të sqaruar dhe identifikuar të dyshuarit që sulmuan gazetarin Valon Syla të hënën mbrëma.