Ministrja Hajdari përplaset me deputetët e PDK-së
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është përfshirë në një debat parlamentar me deputetët e PDK-së, pasi kjo parti ka propozuar në seancën e sotme të Kuvendit një rezolutë për gjendjen në dikasterin me të cilin udhëheqë ajo, duke pretenduar se ajo “ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati qeverisës”.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka folur për skandale dhe afera të shumta në këtë ministri, të cilat ministrja Rozeta Hajdari i ka quajtur “informata gjysmake, të paplota”, me të cilat kjo parti, sipas saj është “duke krijuar shantazhe, shpifje dhe më shumë”.
“A janë dokumentuar në ndonjë raport të auditorit këto skandale? A ka ndonjë shkelje në raport të auditorit?”, ka pyetur Hajdari.
Më tutje, deputeti Shala e ka pyetur ministren Hajdari se “pse i ke shkarkuar 7 sekretarë?”.
“Unë e di që janë më pak, janë ushtrues detyre. Unë jam ministre e përgjegjshme që kur bëhet një gabim ose nuk ka mundësi të menaxhojë, duhet të ndërrohet. Dhe s’ka asgjë personale me këta zyrtarë”, ka thënë ministrja Hajdari.
Kurse shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se “ministrja në një formë apo një tjetër i konfirmoi pretendimet tona për keqpërdorimet që kanë ndodhur”.
“As edhe një sekondë s’duhet të rrish në atë karrige ku je”, i ka thënë Tahiri, Hajdarit.