Zëdhënësi i AAK-së: A u lirua Todosijeviqi në kuadër të marrëveshjes Kurti-Vuçiq?

12 korrik 2023 | 16:42

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka hedhur dyshime nëse lirimi i mohuesit të masakrës së Reçakut, Ivan Todosijeviq lidhet me “marrëveshjen Kurti-Vuçiq”.

“Lajm i tmerrshëm lirimi i ish-ministrit të Listës Serbe, Teodosijevic për mohimin e masakrës së Reçakut. Ministri që u shkarkua nga kryeministri Haradinaj sepse e mohoi Reçakun, sot u lirua nga dënimi. A lidhet edhe ky lirim i mohuesit të Reçakut me zbrapsjen e Albinit ndaj Serbisë përmes piunit Bislimi? A është pjesë e pakos së kapitulimit të Kurtit ndaj Serbisë?” ka shkruar Xhemaili në “Facebook”.

Të mërkurën, Gjykata Supreme ka vendosur që ta lirojë Todosijeviqin nga akuza për urrejtje, për deklaratën ku mohonte masakrën e Reçakut.

Sipas arsyetimit që Supremja e ka dhënë për këtë rast, Todosijeviqi është shpallur fajtor me vendime që në Themelore dhe Gjykatë të Apelit, janë marrë në shkelje të ligjit penal, pasi është thënë se vepra për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe është dënuar nuk është vepër penale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportohet se Policia e Maqedonisë së Veriut mbrëmë në orën…