Bizneset bartin investimet dhe paratë e tyre në vende të ndryshme evropiane, por nuk investojnë në Kosovë
Ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se bizneset bartin investimet dhe paratë e tyre në vende të ndryshme evropiane, por nuk investojnë në Kosovë.
“Mungesa e stabilitetit politik, mungesa e një qeverisje pro-biznes në Kosovë, mungesa e dialogut dhe partneritetit të mirëfilltë publiko-privat, mungesa e fuqisë punëtore dhe ikja e vazhdueshme e fuqisë punëtore jashtë Kosovës, masat ndëshkuese nga ana e BE-së ndaj Kosovës, mbyllja e kufirit në Merdare, trazirat në Mitrovicën e veriut dhe situata shqetësuese në katër komunat në veri, një frymë antiamerikane dhe antievropiane që po dominon, një qasje jo miqësore ndaj sektorit privat dhe imazhi i dobët i Kosovës kudo si pasojë edhe e mungesës së diplomacisë ekonomike dhe politike janë ndër arsyet që e shuajnë shpresën e bizneseve vendore për investime në Kosovë”, ka shkruar Gërxhaliu në “Facebook”.
Sipas tij, sot bizneset e Kosovës investojnë me miliona në Malin e Zi, Slloveni, Austri dhe në veçanti në Gjermani dhe Zvicër.
“Kur kemi parasysh që edhe diaspora nuk gjen ambientin e volitshëm për investime në Kosovë, besoj se dëshmohet se situata ekonomike është alarmante! Jemi dëshmitarë se në Kosovë çdo gjë është politizuar dhe mungon vlera dhe profesionalizmi, por besoj se është koha për reflektim që të punohet për shtetin dhe qytetarët, jo vetëm për pushtetin e interesat partiake”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka thënë se inflacioni ka kapluar çdo produkt dhe shërbim.
“Ngritja e çmimeve nuk ka ndalur dhe nuk ka kontroll, ndërsa pagat janë në nivel mizor, duke filluar nga 190 euro deri në 350 euro. Liria e Republikës së Kosovës është ëndërruar të jetë ndryshe dhe kjo, siç është sot, është pa shpresë, pa perspektivë dhe me të vetmen dëshirë për të ikur nga Kosova e lirë!”, është shprehur Gërxhaliu.