Tërmeti në Marok: Historia e trishtë e mësueses që humbi të 32 nxënësit e saj
Tërmeti 6.8 ballë që goditi një javë më parë Marokun solli mijëra viktima duke shkatërruar vendin. Histori të trishta janë raportuar ku një ndër të cilat është edhe historia e një mësueseje e cila humbi të 32 nxënësit e saj nga tërmeti shkatërrimtar. Mendimet e saj u kthyen menjëherë te nxënësit e saj kur ndjeu tërmetin.
Nesreen Abu ElFadel ishte në Marrakesh, por Adaseel, fshati malor ku ndodhej shkolla dhe shtëpitë e nxënësve të saj, ishte më afër epiqendrës.
Mësuesja e gjuhës arabe dhe frënge u kthye në Adaseel ku shkoi të kërkonte fëmijët.
Ajo zbuloi se të 32 nga 6 deri në 12 vjeç kishin humbur jetën.
“Shkova në fshat dhe fillova të pyesja për fëmijët e mi: “Ku është Somaya? Ku është Youssef? Ku është kjo vajzë? Ku është ai djalë?” Përgjigja erdhi disa orë më vonë: ‘Ata kanë vdekur të gjithë’.
“Imagjinova të mbaja fletën e frekuentimit të klasës sime dhe të vendosja një rresht midis emrit të një studenti pas tjetrit, derisa të kisha gërvishtur 32 emra, ata tani kanë vdekur të gjithë”, tha ajo për BBC.
Ata ishin në mesin e pothuajse 3,000 njerëzve të vrarë nga tërmeti më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Marok, i cili goditi mbrëmjen e 8 shtatorit.
Zonat më të goditura ishin ato në jug të Marrakeshit, ku shumë fshatra malorë u shkatërruan plotësisht. Adaseel ishte një nga ato vende.
Mësuesja e gjuhës i përshkroi studentët e saj si “engjëj” dhe fëmijë të respektueshëm që ishin të etur për të mësuar. Pavarësisht se po luftonin me varfërinë dhe një krizë dërrmuese të kostos së jetesës, fëmijët dhe familjet e tyre menduan të shkonin në shkollë si “gjëja më e rëndësishme në botë”.
Qeveria marokene ka ndërprerë përkohësisht mësimet në zonat më të goditura.