Policia arreston disa persona falë bashkëpunimit policor ndërkombëtar
Policia e Kosovës ka njoftuar se falë bashkëpunimit ndërkombëtar ka realizuar me sukses disa ekstradime, transferime dhe depërtime të personave të ndryshëm që kanë rënë ndesh me ligjin.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet e tjera, gjatë periudhës së fundit, e mbështetur edhe nga njësitet e tjera policore, ka realizuar me sukses disa ekstradime, transferime dhe depërtime të personave të ndryshëm që kanë rënë ndash me ligjin”, ka njoftuar policia.
Sipas policisë, më 13 shtator është ekstraduar nga Shqipëria personi me inicialet A. K., qytetar i Republikës së Kosovës (RKS), i cili ka qenë i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet për veprën penale “Mashtrim”.
“Me datë 15.09.2023 është ekstraduar nga Gjermania personi me inicialet L. T., qytetar i RKS, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘Vrasje’. Më datë 18.09.2023 është realizuar një depërtim i një shtetasi spanjoll, i cili ka qëndruar në RKS pa asnjë dokument. Ky depërtim është realizuar me ndërmjetësimin e Shqipërisë. Me datë 19.09.2023 është kryer transferimi i personit të dënuar nga Italia në Kosovë. Personi i transferuar me inicialet H. I., qytetar i RKS-së, i dënuar me 22 vjet burgim nga Italia për veprën ‘Trafikim me narkotik’, tani do të kalojë pjesën e mbetur të vuajtjes së dënimit në burgjet e Kosovës. Me datë 22.09.2023, pas koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve reciproke, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në Podgoricë personin e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar me inicialet M. K., qytetar i RKS i nacionalitetit serb, i kërkuar nga autoritetet tona për veprën penale ‘Krime lufte’. Personi i arrestuar është në proces të ekstradimit nga Mali i zi në Kosovë sipas procedurave ligjore. Me datë 26.09.2023 është ekstraduar nga Mali i zi personi me inicialet Sh. P., qytetar i RKS-së, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘Vjedhje e rendë’”. Me datë 28.09.2023 është ekstraduar nga Gjermania personi me inicialet A. B., qytetar i RKS-së, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘Shpërdorim i detyrës zyrtare’”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka vazhduar avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve të tjera dhe me organizatat ndërkombëtare policore dhe të sigurisë me qëllim arrestimin e personave të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar, ekstradimin apo sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.



