Kovaçevski e quan qëndrim të BDI-së deklaratën e Osmanit për ‘Ballkanin e hapur’

06 tetor 2023 | 12:23

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se qëndrimi i qeverisë së tij për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” nuk ka ndryshuar dhe se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka prezantuar “qëndrimin partiak” për këtë çështje.

“Qëndrimi i qeverisë (i Maqedonisë së Veriut) mbetet i pandryshuar se si vend kemi një rol konstruktiv dhe pjesëmarrje në të gjitha nismat rajonale, duke përfshirë Ballkanin e Hapur përderisa këto nisma sjellin përfitime konkrete për qytetarët, për shtetet, për ekonomitë, për bizneset e vendeve që janë pjesë e tyre”, u ka thënë Kovaçevski gazetarëve në fund të samitit të tretë joformal të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës.

Ai ka thënë se kryediplomati Osmani ka shpjeguar se qëndrimi i tij se Shkupi duhet të rishqyrtojë pjesëmarrjen në iniciativën rajonale “Ballkani i hapur” nëse vërtetohet se Serbia ka qenë e përfshirë në sulmin në veri të Kosovës, dy ditë më parë “është dhënë nga posti i nënkryetarit të një partie politike (i Bashkimit Demokratik Shqiptar për Integrim – BDI)”.

Siç ka theksuar Kovaçevski, paqja dhe stabiliteti janë thelbi i çdo nisme rajonale, qëllimi i së cilës është në radhë të parë prosperiteti ekonomik, por edhe tejkalimi i kufizimeve dhe sfidave ndërmjet vendeve.

“Ne jemi të bindur dhe themi se Serbia dhe Kosova duhet të jenë për paqen dhe duhet të bëjnë gjithçka për të bërë lëvizjet e duhura, për të ndërmarrë hapat e duhur për të ardhmen e sigurt të qytetarëve, popujve të tyre, por edhe për stabilitetin e gjithë rajonit”, ka thënë ai, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është shembull i qartë i zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura të brendshme, si dhe mosmarrëveshjeve me fqinjët, përmes dialogut aktiv dhe të hapur.

“Dhe vërtet besoj se ky rajon mund të bëjë shumë më tepër dhe mund të bëjë shumë më mirë. Dhe ne jemi në dispozicion të të gjitha proceseve me përvojën dhe mbështetjen tonë reale, të gjitha me qëllim të sigurimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili duhet dhe duhet të jetë sa më shpejt pjesë e BE-së”, ka thënë Kovaçevski.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Thomas Muller ka kontratë me Bayern Munchen deri në…