Nadali pas tetë muajsh rikthehet në stërvitje
Tenisti spanjoll Rafael Nadal ka rinisur stërvitjen, duke iu rikthyer fushës së lojës gati 8 muaj nga hera e fundit.
I dëmtuar në raundin e dytë të grand slam të Australian Open, spanjolli synonte të rikthehej në Roland Garros, po dëmtimi ishte më i rëndë nga parashikimi.
Kështu, në pranverë, Nadali konfirmoi se sezoni 2023 për të ishte i mbyllur, duke mos luajtur më në asnjë turne. Për pasojë, 37-vjeçari aktualisht ndodhet në vendin e 240 të renditjes botërore. Gjithsesi, duket se situata tani është ndryshe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nadali ka marrë sërish raketën në dorë dhe po stërvitet në mjediset e akademisë së tij, në Majorka. Dhe Nadali duket i karikuar për t’u rikthyer protagonist në fushë. Edhe pse jemi ende në tetor, vështirë se Nadali do të luajë ndonjë ndeshje këtë vit. Pritet që fituesi i 22 grand slam të rikthehet në Australian Open, aty ku u dëmtua këtë vit, ndërkohë që objektivi është fitimi i Roland Garros.



