Terroristi serb lirohet nga QKUK-ja, dërgohet në paraburgim
I dyshuari për sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, V.T, i cili po trajtohej në Klinikën e Ortopedisë së QKUK-së për shkak të plagëve të marra nga shkëmbimi i zjarrit me forcat policore të Kosovës, është liruar nga kjo klinikë.
Lajmin për “Klankosova.tv” e ka konfirmuar drejtori i Klinikës, Gani Jashanica.
“Po, ai është liruar nga klinika jonë ku ishte duke u trajtuar”, ka thënë Jashanica.
Pas lirimit, ai do të dërgohet në paraburgim.
Terroristi serb është plagosur gjatë sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Atij i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprat penale “Kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës” dhe “Kryerja e veprave terroriste”.
Më 24 shtator, Serbia kishte kryer agresion në Kosovë.
Një grup i armatosur dhe terrorist serb i udhëhequr nga atëherë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, e ka sulmuar policinë.
Me këtë rast ishte vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku dhe është plagosur edhe polici Alban Rashiti.



