Anglia i dhuron Shqipërisë dronë për kontrollin e kufirit tokësor dhe detar

17 tetor 2023 | 09:31

Britania e Madhe, përmes sekretarit të Jashtëm, James Cleverly, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, i ka dhuruar Shqipërisë një sasi me dronë inteligjentë, për të kontrolluar kufirin tokësor dhe detar.

Kështu ka bërë me dije ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, përmes një njoftimi për shtyp, lidhur me ngjarjen, ku është zhvilluar edhe një vizitë në Komisariatin e ri në Rinas.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly vizituan së bashku Komisariatin e ri të Policisë Kufitare në Rinas, ndërtuar me fondet e Qeverisë britanike, si një ndihmë për ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit.

Për këtë, Balla fillimisht i ka shprehur mirënjohjen palës britanike për mbështetjen, si për godinën e Policisë Kufitare në aeroport, ashtu edhe në ekspertizën e punonjësve të Policisë britanike.

Ministri britanik nga ana tjetër e vlerësoi si shumë efektiv bashkëpunim me palën shqiptare, çka ka ulur sipas tij 90% numrin e kalimeve të shqiptarëve drejt kufirit të Britanisë së Madhe.

“Mendoj është një model kaq pozitiv për të treguar që bashkëpunimi mund të sjellë rezultate. Ne e dimë që kjo është e vërtetë. Ne e themi edhe në rastin kur është koordinim midis departamenteve të qeverisë apo kombeve”, përshkroi Cleverly.

Më tej, ai tha se fakti që vendet kanë qenë në gjendje të dëshmojnë sa efektive është një gjë e tillë, në kohë kaq të shkurtër, është edhe më fantastike.

Me të vërtetë fantastike. Fakti që marrëdhënia është zhvilluar nga një marrëdhënie e cila adreson emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve në Britaninë e Madhe në një marrëdhënie e cila adreson problematikën e kalimit të emigrantëve nga vendet e treta nëpërmjet Shqipërisë nuk është e zakonshme, përshkroi ai më tej.

Ndërkaq, ministri Balla tha se modelin e bashkëpunimit me Shqipërinë, Britania mund ta shtrijë edhe me vende të tjera.

“Me rëndësi është fakti që ne jemi gati ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në fusha të tjera si lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar apo edhe çështje të tjera. Po siç e nënvizuat edhe ju është 90% më pak qëkur kryeministri Rama dhe kryeministri juaj Sunak u takuan herën e kaluar në dhjetor në vendin tuaj kur ne firmosëm marrëveshjen”, theksoi Balla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia belge ka arritur të lokalizojë dhe ta ekzekutojë autorin…