Një muaj nga sulmi terrorist në veri: Çfarë u tha për sulmin, përgjegjësit dhe dialogun?

24 tetor 2023 | 11:33

Është përshkruar si një nga incidentet më të rënda ndër vite dhe ka ndodhur pas disa muajsh tensione të larta midis Kosovës dhe Serbisë.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin para gazetarëve më 24 shtator.

Atë ditë, grupe të armatosura kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasur janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Një muaj pas, Kurti ka thënë se sulmin “e kreu Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

Kush ishin sulmuesit dhe çka synuan?

Zyrtarët e Kosovës i kanë quajtur ata “terroristë”, duke thënë se janë organizuar nga udhëheqja e shtetit serb.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe, kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë”, ka shkruar Kurti në “Facebook” më 23 tetor.

Në të njëjtin postim, ai ka përmendur edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilin e quajti “capo-di-tutti-capi” – një term që zakonisht përdoret për të përshkruar udhëheqësin kryesor të një mafie.

Në ditën e sulmit, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa sulmues, por shumica prej mbi 80 sish kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjatë një muaji hetime e bastisje, ato konfiskuan sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.

Sulmuesit “ishin të pajisur si një këmbësori ushtarake”, ishte vlerësimi i ish-kolonelit amerikan, Gian Gentile për “Radion Evropa e Lirë”.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se me sulmin në Banjskë, Serbia ka tentuar ta aneksonte pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Sipas tij, sulmuesit “u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe, brenda Serbisë”.

Teksa ka thënë se Kosova do të kërkojë ekstradimin nga Serbia të të gjithë të përfshirëve të dyshuar në sulm, Sveçla përmendi edhe përfshirjen e mundshme ruse.

Çfarë u tha në Serbi?

Vuçiqi ka thënë se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokalë” dhe ka akuzuar Kurtin për siç është shprehur “terrorizimin” e serbëve në veri të Kosovës.

Ai ka mohuar se Serbia ka gisht në ngjarjen në Banjskë dhe ka thënë se do t’i bëjë hetimet e veta.

Ai ka paralajmëruar se shteti serb do të ngrejë aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit – politikan dhe biznesmen nga Kosova, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, por ka mohuar se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

“Prokurori po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë”, ka thënë Vuçiqi më 11 tetor.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka hedhur poshtë edhe deklaratat e Kurtit për “Klanin Novi Sadit”, duke thënë se ato kanë për qëllim “të shkatërrojnë çdo mundësi për qetësimin e tensioneve” në Kosovë.

Si reagoi komuniteti ndërkombëtar?

Pas sulmit në Banjskë, Serbia kishte grumbulluar trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që është dënuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë cilësuar si “veprim shumë destabilizues”.

“I bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”, kishte thënë zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Thirrje të ngjashme kishte bërë edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Vuçiqi, në anën tjetër, ka bërë përpjekje ta sigurojë Perëndimin se nuk e ka ndërmend t’i urdhërojë forcat ushtarake ta kalojnë kufirin.

Dhe, pak ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka nisur tërheqjen e trupave të saj nga kufiri me Kosovën.

Si përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO-ja ka rritur praninë e forcave të saj në kuadër të misionit KFOR në Kosovë.

Si nga BE-ja, ashtu edhe nga ShBA-ja thonë se janë tani në pritje të rezultatit të hetimeve të sulmit në Banjskë.

Çfarë thanë qytetarët?

“Fajtorë janë politikanët tanë (të Serbisë) dhe të tyre (të Kosovës), të cilët nuk po mund të merren vesh për të na mundësuar një jetë të qetë”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, Marko Nedelkoviq nga Banjska – fshat me rreth 200 banorë.

“REL”-i ka biseduar me qytetarë edhe në zona të tjera të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

“E tmerrshme”, “nuk është dashur të ndodhë”, “jetë të humbura kot”, “e trishtueshme”, “nuk dimë pse ndodhi”, “dimë aq sa kemi dëgjuar nga mediat – kanë qenë reagimet e disa prej tyre për sulmin e armatosur në Banjskë.

Në Beograd, të anketuarit kanë shprehur shqetësim dhe konfuzion.

“Diçka nuk më duket mirë. Kam frikë. Dhëntë Zoti… Shpresoj të jetë mirë”, ka thënë Millka Gjurica.

Si e ndikoi sulmi dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Bashkësia ndërkombëtare u bëri thirrje të dyja palëve që të kthehen në rrugën diplomatike.

Për t’i bindur ato, përfaqësues të ShBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë qëndruan më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd.

Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë “REL”-it se emisarët perëndimorë paraqitën disa propozime dhe kërkesa konkrete para Kurtit dhe Vuçiqit, të cilat ata duhet t’i përmbushin brenda një afati “shumë të shkurtër”.

Kurti ka thënë se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

Vuçiqi ka thënë se pret që dialogu të vazhdojë kah fundi i javës në Bruksel.

Dy udhëheqësit janë takuar për herë të fundit më 14 shtator, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë.

Rundi i pasuksesshëm i bisedimeve ka pasur disa muaj tensione mes pakicës serbe dhe shumicës shqiptare të Kosovës.

Në qendër të tyre ishte politika e Qeverisë së Kosovës për të vendosur autoritet mbi të gjithë Kosovën.

Serbët e kanë kundërshtuar këtë, duke kërkuar më shumë autonomi.

Si Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë insistuar se dialogu duhet të vazhdojë vetëm pasi Serbia të sanksionohet për sulmin e 24 shtatorit.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për t’i zgjedhur dallimet mes nesh”, ka thënë Osmani në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 23 tetor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK),…