Hamiltoni: Besoj te forca e Mercedesit
Lewis Hamiltoni e ka lënë pas krahëve zhgënjimin në garën e Belgjikës, ku u rendit i dytit, edhe pse e nisi atë nga “pole position”.
Pas polemikave që pati me drejtuesit me FIA-s, për shprehjen e tij se “Ferrari i Vettelit e parakaloi me një truk special”, piloti britanik ka lënë pas krahëve garën e Spa dhe mendon për sfidën e radhës, garën e Italisë, që këtë të diel zhvillohet në pistën e Monzas.
“Në këto momente Ferrari është më i shpejtë se ne dhe po dominon. Unë nuk doja të thosha se Ferrari po përdor diçka ilegale, por vetëm që ka diçka që e ndihmon për të pasur një paraqitje më të mirë se Mercedesi”, ka thënë Hamiltoni, duke shtuar: “Nuk jam i shqetësuar për atë garë. Duhet të përfitojmë nga mundësitë që na jep makina jonë dhe ta marrim maksimumin në pistë. Vetëm duke vepruar kështu mund ta fitojmë titullin kampion. Unë besoj te Mercedesi, por garat e ardhshme do të jenë indikator i mirë i forcës së makinës sonë”.