Ballkani përmbys Gjilanin në fund, fiton derbin me rezultat 3-1

22 nëntor 2026 | 15:12

Ballkani ka marrë një fitore të rëndësishme në derbin e javës së 14-të në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat 3-1, pas një përmbysjeje spektakolare në minutat e fundit të ndeshjes.

Pavarësisht se të dyja skuadrat kërkuan golin gjatë pjesës së parë, rrjetat mbetën të paprekura dhe 45 minutat e para u mbyllën me rezultat 0-0.

Gjilani ka kaluar në epërsi në minutën e 73-të. Pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari ka akorduar penallti për mysafirët, ndërsa nga pika e bardhë i saktë është treguar Armend Thaqi për 1-0.

Megjithatë, Ballkani ka reaguar shpejt dhe vetëm pesë minuta më vonë ka arritur ta barazojë rezultatin. Albin Berisha ka realizuar për 1-1, pas asistimit të Diar Nikqit.

Situata është vështirësuar edhe më shumë për Gjilanin në minutën e 87-të, kur Arbër Potoku është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.

Ballkani e ka shfrytëzuar epërsinë numerike dhe në minutën e 89-të ka realizuar golin e përmbysjes. Diar Nikqi është shfaqur në momentin vendimtar për ta dërguar topin në rrjetë dhe për ta kaluar skuadrën e tij në epërsi, 2-1.

Fitoren e vendasve e ka vulosur Abou Dosso, i cili ka shënuar në minutën e 90+4-t për rezultatin përfundimtar 3-1.

Me këtë fitore, Ballkani dhe Gjilani kanë nga 22 pikë dhe renditen përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë në tabelën e Superligës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, për herë të parë që…