Aktakuzë kundër komandantëve të ushtrisë së Republikës Srpska për krime lufte në Bosnje
Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, të shtunën, ka ngritur aktakuzë kundër pesë komandantëve të lartë të ushtrisë së Republikës Srpska, nën dyshimin për krime lufte në një fshat në afërsi të qytetit veriperëndimor të Bosnjës, Prijedor, në vitin 1992.
Sipas aktakuzës të pesë komandantët morën pjesë në sulmin e armatosur të artilerisë dhe këmbësorisë në fshatin e pambrojtur Brishevë, si dhe në qytezat përreth Prijedorit, i cili banohej kryesisht nga popullata civile e kombësisë kroate, në fund të korrikut 1992.
“Asokohe, brenda vetëm pak orëve, u vranë 61 njerëz, ndër të cilët më i riu ishte një djalë 16-vjeçar, ndërsa viktima më e moshuar ishte 81 vjeçe, si dhe një viktimë e mitur me kombësi boshnjake. Tre persona u zhdukën, eshtrat e tyre nuk janë gjetur deri më sot”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës.
Disa viktima u përdhunuan dhe u abuzuan seksualisht gjatë sulmit dhe dhjetëra njerëz, kryesisht burra, u dërguan në kampet e Prijedorit, sipas aktakuzës.
“Gjatë sulmit, ndërtesat fetare dhe civile u shkatërruan dhe u dogjën, dhe popullata civile e mbijetuar nga vendbanimi Brishevë dhe vendbanimet e tjera fqinje u dëbua dhe u zhvendosën me forcë nga ajo zonë, rreth 350 civilë”, sipas aktakuzës.
Gjatë gjykimit për rastin Prijedor në Bosnje e Hercegovinë, Prokuroria, do të thërrasë 143 dëshmitarë, nga të cilët pesë dëshmitarë do të dëshmojnë nën masat e caktuara mbrojtëse, dy ekspertë.
Gjithashtu do të dorëzohen më shumë se 300 provave materiale.