Stojanoviqi kundër Listës Serbe: Mospjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë ka pasoja
Branimir Stojanoviq, i cili aktualisht drejton partinë serbe të Kosovës, “Lëvizja Kombëtare Serbe”, ka akuzuar ish-partinë e tij – Listën Serbe, për thirrjen që këta të fundit kanë bërë për të mos marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.
Stojanoviqi ka thënë se nëse serbët nuk regjistrohen do të kenë shumë pasoja.
Ndonëse nuk deklarohet kundër këtij procesi, Stojanoviqi ka thënë se ai nuk duhet të zhvillohet tani, por ka pranuar se gjasat që i njëjti të shtyhet janë shumë të vogla.
“Ndërsa bëjnë thirrje për bojkotimin e regjistrimit, familjarët e zyrtarëve dhe aktivistëve të Listës Serbe në Graçanicë janë në mesin e regjistruesve. Dhe ky njoftim i Listës Serbe, në të cilin shkrehen një duzinë fraza të vjetruara, nuk e ka idenë për pasojat e drejtpërdrejta që do të ketë populli ynë nëse nuk merr pjesë në regjistrim. Do të mbetemi sërish vetëm me problemet tona”.
“Nuk ka kushte për regjistrim dhe jemi kundër që të bëhet në këto momente, por gjasat që ai të shtyhet janë shumë ‘të vogla’. Na duhen koka të ftohta, jo bosh me xhepa plot”, ka shkruar Stojanoviq në këtë reagim.
Lista Serbe, ka bërë thirrje që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë. Njëjtë kanë kërkuar edhe dy parti tjera të serbëve të Kosovës, “Partia e Serbëve të Kosovës” dhe “Demokracia Serbe”.
Avni Kastrati, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ftoi të gjithë qytetarët që të regjistrohen.
Kastrati ka njoftuar se në komunat veriore regjistruesit do të fillojnë punën nga dita e hënë.
“Sa i përket pjesës veriore, kemi pasur regjistrues dhe mbikëqyrës sa kemi kërkuar, mirëpo duket se ata kanë një lloj trysnie nga komuniteti i tyre. Mirëpo kemi gjetur prapë regjistrues, dhe të hënën do të fillojnë për komunitetin serb në veri në katër komunat”, ka thënë Kastrati.
Në Kosovë sot ka filluar regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave “ReKos2024”, i cili do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti.