Muriqi: Kosova, ‘arrë e fortë’ për çdo kundërshtar
Pas përfundimit të ndeshjes ndaj Islandës, ‘heroi’ i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili në këtë sfidë shkëlqeu duke realizuar tregolësh, ka folur me superlativa.
“Jam shumë i kënaqur që kemi bërë një arritje të jashtëzakonshme si kombëtare. Një sulmues nuk mund të ketë një lojë më të mirë se kjo, 3 gola dhe kualifikim në Ligën B”.
“Jam shumë i lumtur, nuk duhet të ndalemi më kaq. I kemi treguar Evropës se jemi bërë një arrë e fortë për kundërshtarin. Do të vazhdojmë me punën tonë, me shpirtin luftarak, pasi kjo besoj është arma jonë dhe do të vazhdojmë të luftojmë pa marrë parasysh”.
“Tani i kemi ndeshjet miqësore në qershor, pastaj na vijnë kundërshtarë edhe më të fortë se sa Islanda”. Muriqi gjithashtu zbuloi se ai ia dedikoi golin e parë ish-sulmuesit të Kosovës, Atdhe Nuhiu, tashmë asistent i Franco Fodas.
“Pas lojës së parë me Islandën, nuk i kam treguar Atdheut, por kur përfundoi ndeshja nuk munda pa shënuar një gol sepse kisha qejf t’ia dedikoja atij. Pas shumë kohëve u bashkuam këtu dhe luftuam së bashku për një objektiv dhe ishte një kënaqësi vërtetë. Kur e shënova golin, mu kujtua Atdheu dhe ia dedikova atij”, përfundoi sulmuesi i Kosovës.



