A do ta bindë Konjufca Osmanin se i ka 61 deputetë për formimin e qeverisë?
Pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë mandatar i dytë nga radhët e kësaj partie për kryeministër, në mënyrë që Qeveria të arrijë të miratojë disa nga projektligjet më të rëndësishme, mbetet që të dëshmohet se ai i ka 61 deputetë në përkrahje, në mënyrë që Kosova të mos detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Në të kundërtën, presidentja Vjosa Osmani, sipas legjislacionit, nuk mund ta mandatojë Konjufcën për formimin e Qeverisë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ardian Bajraktari, thotë për Albanian Post se i mandatuari duhet ta bindë presidenten se ka arritur të sigurojë shumicën e deputetëve.
“Një i mandatuar duhet ta bindë presidenten se ka arritur të sigurojë shumicën prej 61 deputetëve dhe, rrjedhimisht, ka gjasa të formojë qeverinë. Natyrisht, kjo është çështje e presidentes, qoftë duke i prezantuar ndonjë marrëveshje apo mbështetjen me nënshkrime të së paku 61 deputetëve”.
“Në rastin konkret, publiku as njërën e as tjetrën nuk i ka parë, megjithatë, mbetet të shihet nëse mund të ketë ndonjë vendim ndryshe”, thotë Bajraktari për AP.
Ai sqaron se kjo është e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Po ashtu, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit konsideron se presidenti i Republikës duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do t’i marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e qeverisë së re”.
Ndërkaq, avokati Asdren Bytyqi deklaron për Albanian Post se Vetëvendosja nuk po kërkon bashkëqeverisje, por synon që të votohet qeveria për të parandaluar krizën që do të shkaktonte mosmiratimi i buxhetit.
“Kushdo që ofron dëshmi se i ka 61 vota, mjafton për t’ia dhënë të drejtën, sepse dëshmon që i ka 61 deputetë. Vetëvendosje, sipas modelit të saj, nuk po synon koalicion me partitë e ish-opozitës, por bashkëpunim pa i përfshirë në koalicion – për të miratuar një qeveri që do të parandalonte krizën e madhe nga mosmiratimi i buxhetit”, pohon ai për AP.
Bytyqi rekomandon që Lëvizja Vetëvendosje të kërkojë bashkëpunim nga ish-opozita.
“Në këtë situatë, zgjidhja më e duhur do të ishte që nga partitë e ish-opozitës të kërkohet bashkëpunim, qoftë për një periudhë të shkurtër apo deri në zgjedhjen e presidencës, pa i përfshirë në qeverisje dhe pa ua dhënë pjesën e tyre, që mendoj se është vetë qëllimi i garës politike. Për këtë arsye, mendoj se kjo nismë mund të refuzohet nga partitë politike”.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Kosova është zhytur në krizë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat u zhvilluan para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi mund të përfundojë në një cikël të ri zgjedhor në dhjetor, në përpjekje për t’iu kthyer normalitetit.
Kjo pasi që më 26 tetor, propozimi i mandatarit Albin Kurti për një mandat të ri katërvjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvend. Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.



