A do të fillojë nesër viti i ri shkollor në dy shkollat e Fushë Kosovës?

02 shtator 2018 | 15:26

Në shkollat fillore “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë pritet që nesër (e hënë) të mos filloj procesi mësimor për shkak se do të ketë protesta të prindërve.

Sipas një grupi të prindërve arsyeja e protestës është se po zhvendosen një numër i nxënësve nga shkolla “Mihal Grameno” në shkollën “Daut Bogujevci”.

Këtë kundërshtim po e bëjnë prindërit e shkollës “Daut Bogujevci” të cilët po kërkojnë që në godinën e re të ndërtuar të vendosen nxënësit e tyre të cilët ende janë duke i vijuar mësimet në shkollën e vjetër.

Po ashtu, këtë kundërshtim po e bëjnë edhe një pjesë e prindërve të shkollës “Mihal Grameno” të cilët po thonë se rruga është me rreziqe dhe është shumë larg shkollës ku kanë qenë deri më tani fëmijët e tyre.

Zhvendosja e nxënësve në shkollën “Daut Bogujevci” pritet të ndodhë nga klasa e VI deri në të IX, e që numri i tyre do të jetë 1 200 nxënës. Kjo po bëhet për arsye se shkolla “Mihal Grameno” ka mbi 2 800 nxënës dhe se mundësitë teknike nuk kanë që të punohet në tri ndërrime.

I kontaktuar nga “Epoka e re” drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi, rreth këtij vendimi për zhvendosjen e nxënësve nga shkolla e tij në atë të “Daut Bogujevci”, ai ka deklaruar se ky veprim po bëhet në bashkëpunim me Kryesinë e Këshillit të Prindërve dhe me Drejtorinë për Arsim të Komunës së Fushë Kosovës.

Ai ka treguar se arsyeja e vetme është pasi shkolla “Mihal Grameno” është e mbingarkuar dhe nuk ka kapacitete që të ketë mësim të mirëfilltë.

Gashi ka thënë se është një pjesë e prindërve të cilët po e kundërshtojnë këtë vendim, për faktin se shkolla ku do të zhvendosen nxënësit është larg dhe mund të ketë edhe rreziqe. “Ne po detyrohemi të marrim vendime për një arsim më cilësor që procesi mësimor të filloj dhe që nxënësit tanë të kenë hapësirë të mjaftueshme për mësim”, është shprehur ai.

Po ashtu, edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Islam Shabani, i kontaktuar nga gazeta “Epoka e re” ka folur rreth zhvendosjes së një pjesë të nxënëseve dhe protestës së mundshme nga prindërit. “Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës ka marrë vendim në muajin korrik të këtij viti që për shkak të mbingarkesës në shkollën ‘Mihal Grameno’ e që në atë shkollë janë mbi 2 600 nxënës të bëhet zhvendosja e 1 200 nxënësve nga kjo shkollë në shkollën e re, e cila pritet të hapet për herë të parë të hënën dhe që aty do të vendosen nxënësit nga klasa e VI deri në klasën e IX. Deri më tani në këtë shkollë është e rregulluar vetëm kati i dytë, ndërsa deri në fund të javës pritet të rregullohet e pastrohet pothuajse e gjithë shkolla, e cila do t’i plotësojë edhe standardet për mbarëvajtjen e procesit mësimor”.

Në pyetjen pse po kundërshtohet zhvendosja e nxënësve të “Mihal Grameno”-s nga prindërit e shkollës “Daut Bogujevci”, Shabani ka thënë se kundërshtimi i prindërve është i gabueshëm.

“Këta prindër e kanë gabim sepse shkolla e vjetër e cila është në funksion ende ka 600 nxënës dhe me nxënës të minoriteteve arrin numrin deri në 900 nxënës. Prindërit po kërkojnë që fëmijët e tyre të vendosen në shkollën e re, por ne jemi të detyruar ta zvogëlojmë numrin e shkollë e cila ka mbi 2 600 nxënës, ndërsa nëse Ministria e Arsimit e ndërton edhe një shkollë afër kësaj shkolle, atëherë më siguri që do të marrim vendim tjetër për t’i kthyer prapë nxënësit në shkollën e tyre”, ka theksuar Shabani.

Drejtori i DKA-së në Fushë Kosovë ka bërë thirrje që të hënën nis fillimi i vitit të ri mësimor në këtë komunë dhe që mos të ketë pakënaqësi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sulmues vetëvrasës ka sulmuar Qeverinë në kryeqytetin e Somalisë,…