A ka sot më pak njerëz gjenialë sesa në të kaluarën?

31 korrik 2022 | 08:50

Në një episod nga filmi ”Manhattan” i vitit 1979 , me regji dhe protagonist Woody Allenin, ky i fundit bisedon në rrugë me të dashurën e një miku të tij, një grua të cilin e kishte njohur disa ditë më parë, dhe që vazhdonte ta përdorte shpesh termin “gjeni”, për të përshkruar njerëzit me të cilët ka shoqëri. “E dini, që ju njihni shumë gjenij? Unë ju këshilloj që rrini herë pas here edhe me ndonjë idiot, pasi mund të mësoni diçka! ”- i thotë ai me shaka.

Kriteret e përdorura në bisedat e përditshme, për të përcaktuar si “gjeni” njerëzit që bartin një talent apo një zgjuarsi të veçantë, shpesh nuk janë shumë të sakta, dhe priren të ndryshojnë sipas rasteve dhe konteksteve. Nga ana tjetër, ka një unanimitet të plotë në përdorimin e këtij termi për një grup njerëzish të jashtëzakonshëm në historinë e arteve dhe shkencës, të cilët i admirojmë dhe studiojmë ende sot për zbulimet, krijimtarinë dhe kërkimet e tyre: nga Johann Sebastian Bach tek Michelangelo Buonarroti, nga Isaac Newton tek William Shakespeare, nga Aristoteli tek Louis Pasteur.

Në listat më pak të diskutueshme të gjenive që kanë ekzistuar në historinë e njerëzimit, mungojnë zakonisht njerëzit që janë ende gjallë apo që kanë jetuar dekadat e fundit. Dhe ky çekuilibër është shpesh një temë debati. Ka nga ata që pretendojnë se kjo ndodh, sepse duhet kohë përpara se një person të mund të njihet unanimisht si një gjeni.

Por, ka të tjerë që mendojnë se mungesa e tyre në këtë listë, është një konfirmim të hipotezës se sot nuk ka më shumë gjenij në qarkullim, pavarësisht se ekziston një qasje më e gjerë dhe më e lirë tek dijet sesa në të kaluarën. Ky është një debat i përsëritur në shumë fusha, nga muzika tek shkenca dhe deri tek filozofia.

Në një shkrim të publikuar marsin e vitit të kaluar në “Substack”, neuroshkencëtari amerikan Erik Hoel, e quajti mungesën e gjenive një tipar real dhe “dëshpërues” të epokës sonë. Dhe, ai argumentonte se arsyeja kryesore, është dështimi progresiv i një modeli aristokratik të trajnimit dhe edukimit individual, që ishte shumë i përhapur tek njerëzit e dikurshëm, të cilët dot i përkufizojmë si gjenij.

Por, shkencëtari amerikan Scott Alexander, e kundërshton hipotezën e Hoel mbi mësimin aristokratik, teksa e mbështet pjesërisht idenë se sot ka më pak gjenij sesa në të kaluarën.Hoel u frymëzua nga një reflektim i eseistit dhe gazetari amerikan Tanner Greer, që mendon se mungesa e dukshme e gjenive në kohën tonë, është vetëm një çështje e këndvështrimeve aktuale, që na pengojnë t’i njohim gjenitë që ekzistojnë sot midis nesh.

Duke cituar librin “Rënia e Perëndimit”, veprën më të rëndësishme të filozofit gjerman Oswald Spengler, botuar në dy vëllime midis viteve 1918-1922, Greer thekson se Spengleri i përshkroi si figura të rëndësishme historike për njerëzimin, pra gjenitë, shkrimtarët dhe filozofët që vdiqën deri disa vite më parë.

“A ka ndonjë njeri që ka vdekur në dekadën e fundit, për të cilin mund të bësh këtë lloj pretendimi të ngjashëm?”- pyet Greer në mënyrë retorike. Shkrimtarë dhe filozofë si Leo Tolstoy, Henrik Ibsen, Friedrich Nietzsche, Fyodor Dostoevsky dhe Karl Marx, që të gjithë të cituar nga Spengler, kishin vdekur 30 vjet më parë ose edhe pak (Tolstoy vetëm katër vjet më parë), kur Spengleri nisi ta shkruante librin në vitin 1914.

Dhe gjykuar nga mënyra se si Spengleri dhe autorë të tjerë shkruan për ta, ata kishin në atë kohë reputacionin të cilin e gëzojnë edhe sot. Nëse gjeniu do të konsiderohej një çështje ngushtësisht gjenetike, shkroi Hoel, fakti që sot nuk ka më gjenij pavarësisht rritjes së popullsisë botërore, do të ishte një dukuri shumë jonormale.

Sipas tij, problemi me shumë gjasa qëndron tek arsimimi. Por debati se cilat shkolla dhe universitete janë më të mirat – në rastin konkret ato që kanë më shumë gjasa të nxjerrin gjenij- është përgjithësisht shumë i diskutueshëm, i njëanshëm si pasojë e paragjykimeve.

Sipas Hoelit, faktori i vetëm më i rëndësishëm për ta bërë një person gjeni, ka të bëjë me edukimin. Dhe kryesisht me një metodë e veçantë dhe të njohur në historinë e edukimit aristokratik: mësimdhënie e personalizuar dhe individuale nga një mësues.

Ndonëse nga shumëkush konsiderohet shumë e padrejtë, pasi lidhet me njerëz me pozita shoqërore dhe standarde jetese më të larta, kjo metodologji e mësimdhënies është studiuar dhe përshkruar si më efektive se sa metodat konvencionale në disa studime të viteve 1970-1980 nga psikologu amerikan Benjamin Bloom.

Edukimi aristokratik i marrë nga shumë gjenij të së kaluarës, dhe të cilit i referohet edhe Hoel, ishte megjithatë shumë më i gjerë dhe më i thelluar, se sa format më të fundit të mësimdhënies individuale të studiuara nga Bloom.

Detyrat e mësuesit kujdestar në familjet aristokrate nuk kufizoheshin vetëm në mësimdhënien e lëndëve të studimit, por presupozonin një marrëdhënie të vazhdueshme mes mësuesit dhe nxënësit, edhe në orët e lira, por edhe gjatë udhëtimeve me synim shtimin e dijeve.

Hoel përmend shumë shembuj të gjenive, që kanë marrë një edukim të tillë aristokratik.

Ndër shembujt e tij është perandori romak Mark Aureli, që kishte 17 mësues: një jurist, tetë filozofë, katër gramatikanë dhe katër oratorë. Pastaj është edhe një nga rastet më të përmendura të formimit aristokratik, ai i filozofit anglez Bertrand Russell.

Ai nuk ndoqi asnjë shkollë deri në moshën 16-vjeçare. Më pas arsimimi iu besua tërësisht një grupi mësuesish privatë, të paguar nga gjyshërit e tij. Por edhe në rastet kur edukimi i gjenive të ardhshëm nuk i besohej tërësisht mësuesve privatë në shtëpi, deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, tutorët akademikë ishin vazhdimisht të pranishëm në proceset tradicionale të studimit.

Hoel merr shembullin e Charles Darwin, natyralistit anglez që zhvilloi Teorinë e Evolucionit, i cili ndoqi shkollën mjekësore në Universitetin e Edinburgut, ndërsa mësoi privatisht taksiderminë përkundrejt një pagese nga John Edmonstone, një ish-skllav zezak, që e kishte shoqëruar dikur natyralistin britanik Charles Waterton në pyjet tropikale të Amazonës.

Por, kjo vlen edhe për rastet e edukimit privat jo-aristokratik. Kështu filozofi Karl Marx u edukua nga babai i tij deri në moshën 12-vjeçare, para se të fillonte të ndiqte shkollën publike. Apo ai i filozofes Hannah Arendt, që u rrit në një familje hebreje jo-aristokrate të shtresës së mesme, dhe që u arsimua nga disa rabinë dhe mësues privatë, si dhe nga nëna e saj.

Por, hipoteza e Hoelit u kundërshtua nga Scott Alexander, që e konsideron një argument shumë të dobët për të shpjeguar mungesën aktuale të gjenive. Nëse e pranojmë se të paktën gjysma e gjenive të së kaluarës kanë pasur një edukim aristokratik, me zhdukjen e këtij lloji të formimit aristokratik, duhet të presim një reduktim të dukshëm të gjeneve në qarkullim, por jo një mungesë të plotë të tyre thotë Aleksandër.

Ai jep edhe disa shembujt të kundërt. Isaac Newton nuk ndoqi shkollën deri në moshën 12-vjeçare, dhe nuk ka asnjë provë që më herët kishte marrë mësime private në shtëpi, edhe sepse familja e tij nuk ishte aq e pasur sa ta përballonte atë.

Louis Pasteur, i konsideruar si themeluesi i mikrobiologjisë moderne, ishte djali i një lëkurëpunuesi, dhe u rrit në një familje katolike pa ndonjë arsimim special, përpara se të niste shkollën fillore në moshën 8-vjeçare. Edhe Wolfgang Amadeus Mozart u mësua kryesisht nga babai i tij, një violinist i shkëlqyer, ndërsa që në moshën gjashtëvjeçare konsiderohej një fëmijë gjeni.

Ky lloj trajnimi muzikor nga një prind apo një pjesëtar tjetër i familjes, thekson Alexander, është shumë i përhapur edhe sot. Çështja e mungesës së dukshme të gjenive sot, ka lidhje me shumë aspekte të tjera, më të rëndësishme sesa faktori i vetëm i identifikuar nga Hoel me edukimin aristokratik apo në përgjithësi me arsimimin individual.

Ekspertët Lup Kenon dhe Rohit Krishna, kryen pak kohë më parë analizën e 500 gjenive të të gjitha kohërave, duke zbuluar se në çdo epokë, një lloj i caktuar gjeniu priret të dominojë mbi llojet e tjera. Kështu në kohët para-moderne, mbizotëronin filozofët dhe udhëheqësit ushtarakë, ndërsa në Mesjetë filloi të rritet numri i shkencëtarëve.

Gjatë Iluminizmit dhe në epokën moderne, gjenitë filluan të shfaqen në të gjitha fushat. Dhe nga shekulli XIX e në vazhdim, u bë gjithnjë e më e zakonshme që termi “gjeni” të lidhej me shpikësit dhe sipërmarrësit, nga Thomas Edison tek Henry Ford.

Sot sipërmarrësit gjenialë, janë më shumë sesa gati në të gjitha epokat e mëparshme: nga i ndjeri Steve Jobs tek Elon Musk dhe Bill Gates. Ideja jonë se çfarë është gjenialiteti në përgjithësi, duket se kushtëzohet nga dukuri kulturore dhe sociale më të gjera dhe më komplekse, të cilat herë pas here ripërcaktojnë kuptimin e kësaj fjale, dhe e modifikojnë ndjeshmërinë e njerëzve në lidhje me figurën e gjeniut. /Me shkurtime nga Il Post/Në shqip nga: Bota.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Muhamedin Kullashi (fragment nga artikulli “Heideggeri mbi vullnetin për fuqi…