A mos janë edhe vetë evropianët që paguhen për Kosovën informatorë të shpifjeve të Dick Martyt dhe shpifës për ta njollosur luftën e Kosovës për çlirim? (4)

11 korrik 2020 | 18:16

Shkruan: Kudusi Lama

Unë e dua integrimin. Po për ku? Këtë përgjigje duhet ta japin ata që marrin përgjegjësi të jenë drejtues të Evropës. Unë e dua bashkëpunimin, por me kë? Me Serbinë që thotë nuk dua të dijë nëse ekzistojnë ose jo shqiptarët, apo me Greqinë që po na nxjerrë edhe eshtrat nga varret në trojet tona, për të pretenduar se deri në Shkumbin është tokë greke? Ne e dimë që rreth 18 për qind e popullsisë brenda kufijve të shtetit të Shqipërisë janë të fesë së krishtere ortodokse. Po e di Evropa që Greqia vlerëson se çdo ortodoks është grek? Me këtë a mund të bashkëpunohet në këto kushte? A mos duhet që ne të pretendojmë se çdo mysliman i bardhë në Evropë është shqiptar? Nëse do të bënim këtë, do të vepronim e deklaronim një lloj si grekët. Kjo nuk është e nuk mund të jetë Evropa e bashkuar dhe fuqi e botës, por një Evropë në degradim dhe me tendencë shkatërrimi, thjesht për t’i shfrytëzuar fuqitë e saj të brendshme evropiane për aktorët e kësaj skene që quhet Evropë. Më vjen keq, që Evropa e kulturës botërore ndjek interesat e përfituesve të pakaraktershëm.

Ne jemi të gatshëm të përfitojmë nga përvojat e evropianëve, por ato që janë vërtet përvoja, jo ato që na kthejnë edhe një herë në bazën e nisjes. Këtu duket se sa herë ndërron shtetësia e individëve që ndihmojnë në emër të Evropës, ka një devijim të ndihmës dhe një kthim prapa. A nuk e shohin evropianët këtë apo duan të jenë në këto pozicione? Ata që janë në Kosovë sot, në strukturat e EULEXit, një punonjës i thjeshtë e ka pagën mujore sa dy a tre fish i pagës së kryeministrit apo presidentit të Kosovës. Po realisht çfarë bëjnë? Pse duhet të ishte Dick Marty ai që ta zbulonte trafikun e organeve njerëzore gjatë luftës, nëse ishte e vërtetë, pse të mos ishin evropianët që paguhen për Kosovën? Kjo duket si lojë volejbolli, kur luhet duke i lënë topin në dorë njëri-tjetrit. A mos janë edhe vetë evropianët që paguhen për Kosovën informatorë të shpifjeve të Dick Martyt dhe shpifës për t’i njollosur luftëtarët dhe luftën e Kosovës për çlirim?

Unë e di se Serbia është e sëmurë dhe vuan nga sëmundja e madhështisë, megalomanisë, hyjnizimit, mbisundimit etj. Por, shtroi pyetjen: a mos kanë dukuri të një sëmundjeje të tillë edhe të tjerë, si Franca, Anglia, Gjermania etj? Më duket se vërtet ka dukuri të mbisundimit edhe në këto politika, që realisht nuk desha të kishte, sepse kam shumë nderim për kulturën dhe historinë e këtyre shteteve.

Ne nuk kemi kërkuar të jemi pjesë e Evropës për t’u asimiluar, por për t’u identifikuar. Nuk kemi kërkuar tandërrojmë sunduesin, por të çlirohemi nga kolonizimi. Kush mendon se ne duhet të qëndrojmë akoma të kolonizuar me pushtues të ri, gabon rëndë. Ashtu sikurse ne nuk e kemi kërkuar Evropën për t’u bërë ndihmës në fuqizimin e dikujt. Jo, ne e duam Evropën, nëse ajo na do ne shqiptarëve, siç do gjermanët, britanikët, francezët, belgët, suedezët, italianët etj. Jashtë kësaj balance dashurie nuk mund të jemi shqiptarët të denjë për Evropën dhe Evropa e nevojshme për shqiptarët. Jemi mësuar me armiqësi, mohim, përjashtim, ekspansion, grabitje, asimilim etj. Por, mjaft më.

Kam lexuar se: “Drejtësia është elementi më i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit, rendit, qetësisë, paqes dhe bilancit në mesin e shoqërive njerëzore. Funksionimi i drejtësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nënkupton edhe funksionimin e respektit dhe vlerave njerëzore për të gjithë pa dallim, ndërsa ngritja dhe mosfunksionimi i saj në mesin e një shoqërie, pashmangshëm paralajmëron anarkinë dhe destabilitetin. Drejtësia është çelësi i qetësisë, kurse nëpërkëmbja dhe anashkalimi i saj është çelësi i turbullirave dhe i luftërave”.

Do të kisha shumë dëshirë që të ishte mbajtur në konsideratë një ide e tillë që realisht nuk është e re. Prandaj edhe apeloj, që bashkësia ndërkombëtare, para se të bëjë politikë të vlerësojë drejtësinë. Po të bëhet një vlerësim në këtë këndvështrim, kuptohet që do t’i jepet haku gjithkujt. Po të vlerësohet drejtësia do të kërkohej për t’u gjetur të zhdukurit shqiptar e pastaj të pretenduarit serb.

Ky qëndrim është vërtet monstruozitet. Serbia shtet, me infrastrukturë moderne evropiane për të gjitha fushat, edhe për mjekësinë; me paramilitarë, ushtri e polici; me mjete tokësore, ajrore e detare; me rrugë e komoditete nga më të ndryshmet; me tregti të jashtme e të brendshme; me diplomaci e marrëdhënie ndërkombëtare komplekse; me shërbim informativ shtetëror, të policisë e të ushtrisë; me gazetarë, gazeta, televizione, radio e faqe interneti; me perandorinë Ruse në ndihmë etj.; dhe nuk paska asnjë kriminel, që të merret me veprimtari të paligjshme, nuk paska fare interesa për organet njerëzore për trafik e transplantime, nuk paska fare probleme kriminaliteti, ani pse, pasi na i kanë përdhunuar vajzat, i kane rrjepur për të vlerësuar se kur njeriu ndjen më shumë kënaqësi, kur përdhunon apo kur rrjepë një njeri; ani pse, na i kanë nxjerrë nga barku i nënave foshnjat, për të parë se si reagon një nënë kur çlirohet nga foshnja e saj në këmbë, pa e ulur në tryezën e operacionit dhe në rrugë pa pasur nevojë për salla operacioni. Ani pse na i kanë vënë djemtë të përdhunojnë nënat e i kanë vënë nënat të hanë mishin e djemve të tyre të pjekur në prush; anipse na i kane vrarë mësuesit dhe trupat e tyre i kanë shkrirë me acid. I kanë vrarë burrat e kufomat e tyre i kanë djegur nëpër furra të industrisë, apo të ngritura apostafat për këtë punë. Na i kanë përdhunuar femrat përpara burrave, baballarëve e vëllezërve të lidhur; na i kanë mbytur pleqtë nëpër puse e gremina; na i kanë… për të gjitha këto nuk ka ndonjë problem. A është e vërtetë se nuk janë problem për Evropën këto? Dua të di.

Shqetësimi është se disa djem patën rrëmbyer armët dhe i dolën zot atdheut, popullit dhe kombit të tyre. Këta djem nuk ishin të dëshirueshëm. Një herë u akuzuan se janë kriminelë, se janë agjentë, se janë islamikë, se janë irredentistë, se janë me probleme, se janë marksistë leninistë, se duan të ndërtojnë një Kubë në Ballkan, se janë fundamentalistë, se janë hajdutë, se janë e ç’nuk janë. Na i thanë të gjitha. Por djemtë dhe vajzat me armë në malet e Kosovës nuk u mundën nga këto etiketime. Ata vazhduan luftën e tyre pa kompromis. Ata vazhduan të forcohen çdo ditë.

Pas këtij momenti, iu dha leje Millosheviqit t’i zhdukë e të krijojë qetësi në Kosovë, në të kundërt nuk ishte përgjegjësia e askujt veçse e tij, nëse një ditë do të ballafaqohej me botën, pasi njëherë ishte falur në Bosnjë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet e derivateve dita-ditës po shënojnë rritje. Kryetari i Shoqatës…