A mund të jetë njëkohësisht gënjeshtar dhe patriot një politikan?
Nga Prof. Jeton Kelmendi PhD
Në diskursin publik, sidomos në shoqëritë me demokraci të brishta ose në tranzicion, shpesh dëgjohet justifikimi se “politika e do gënjeshtrën”, madje se “një gënjeshtër e vogël bëhet për të mirën e atdheut”. Kjo pyetje, nëse një politikan mund të jetë njëkohësisht gënjeshtar dhe patriot nuk është thjesht morale: Ajo është thelbësisht politike, sepse lidhet me mënyrën si ndërtohet besimi publik, si funksionon shteti dhe si orientohet populli në vendimmarrje. Përgjigjja kërkon dallime të qarta mes llojeve të gënjeshtrës, peshës së fjalës politike dhe pasojave që ajo prodhon. Së pari, duhet bërë një dallim i domosdoshëm: ekzistojnë të ashtuquajturat “gënjeshtra të bardha”, por ato i përkasin sferës së jetës private dhe situatave të vogla njerëzore, një fjalë e zbutur për të mos lënduar, një shmangie e së vërtetës për të kursyer ndjenja, një heshtje e përkohshme për çështje intime. Edhe këto janë të diskutueshme etikisht, por ndikimi i tyre është i kufizuar dhe zakonisht i përkohshëm. Ato nuk ndërtojnë politika publike, nuk drejtojnë shtete dhe nuk përcaktojnë fatet e kombeve.
Gënjeshtra politike është krejt tjetër gjë. Në dukje ka ‘bukurinë e vet’, por esencialisht është keqbërëse. Ajo nuk është kurrë e bardhë: Është gjithmonë e zezë. Sepse nuk ka si të jetë ndryshe kur prodhohet nga një figurë që mban pushtet, që flet në emër të shtetit, që orienton miliona njerëz dhe që vendos prioritete ekonomike, diplomatike, ushtarake e shoqërore. Një gënjeshtër politike, edhe kur paraqitet si “strategjike” apo “e nevojshme”, deformon realitetin, manipulon ndërgjegjen kolektive dhe minon vetë themelin e demokracisë: besimin.
Politikani nuk është qytetar i zakonshëm në hapësirën publike. Fjala e tij ka peshë institucionale. Kur ai ose ajo gënjen, nuk gënjen vetëm një individ, por gënjen popullin. Dhe populli, i keqorientuar nga e pavërteta, merr vendime të gabuara në votë, në qëndrime, në sakrifica, në durim. Gënjeshtra politike prodhon një realitet të rremë, ku problemet maskohen, përgjegjësitë zhduken dhe dështimet shiten si suksese. Në këtë kuptim, gënjeshtra nuk është thjesht imorale, por ajo është shkatërruese. Shpesh dëgjohet argumenti se “qëllimi i mirë e justifikon mjetin”. Sipas kësaj logjike, një politikan mund të gënjejë për të ruajtur stabilitetin, për të shmangur panikun, për të fituar kohë ose për të mbrojtur interesin kombëtar. Por ky arsyetim është i rrezikshëm gjithashtu. Sapo pranojmë se gënjeshtra lejohet për “qëllime të larta”, hapim derën për arbitraritet: kush e përcakton qëllimin e mirë? Kush e kontrollon politikanin kur ai vendos të gënjejë? Dhe kush mban përgjegjësi për pasojat e gënjeshtrës?

Historia politike botërore tregon se shumica e katastrofave kolektive kanë nisur me gënjeshtra “të justifikuara”: gënjeshtra për rreziqe të sajuara, për armiq të ekzagjeruar, për prosperitet të rremë, për reforma që nuk ekzistojnë. Këto gënjeshtra, të përsëritura dhe të institucionalizuara, e shndërrojnë shtetin në makinë propagande dhe qytetarin në subjekt të manipulimit. Patriotizmi, në këtë kontekst, reduktohet në slogan, ndërsa e vërteta shpallet armike. Një politikan patriot, në kuptimin e vërtetë të fjalës, e do vendin e tij mjaftueshëm sa të mos e gënjejë. Ai e respekton popullin si subjekt racional, të aftë për të përballuar të vërtetën, sado e vështirë të jetë ajo. Patriotizmi nuk është fshehje e problemeve nën qilim; është përballje me to. Nuk është zbukurim i realitetit; është guxim për ta përmirësuar atë. Një politikan që gënjen për të ruajtur pushtetin e vet, edhe nëse flet për flamurin dhe kombin, nuk është patriot, është oportunist dhe kjo pa asnjë dilemë. Dëmi i gënjeshtrës politike nuk kufizohet vetëm brenda kufijve kombëtarë. Edhe kur gënjeshtrat drejtohen kundër një populli tjetër, në politikë të jashtme, në diplomaci, në konflikte etj, ato mbeten po aq të rrezikshme. Gënjeshtra ndaj të tjerëve e kthen shtetin në aktor të pabesueshëm, prish marrëdhëniet ndërkombëtare, ushqen tensione dhe shpesh justifikon veprime që sjellin pasoja afatgjata: izolim, sanksione, armiqësi. Një shtet që ndërton politikën e jashtme mbi të pavërteta e minon edhe sigurinë e vet.
Për më tepër, gënjeshtra politike ka një efekt korroziv në kulturën shoqërore. Kur qytetarët shohin se gënjeshtra shpërblehet në politikë, ajo normalizohet edhe në jetën e përditshme. Humbet kufiri mes së vërtetës dhe propagandës, mes faktit dhe opinionit. Cinikët fitojnë terren, idealistët tërhiqen, dhe apatia zë vendin e angazhimit qytetar. Një shoqëri që nuk beson më në fjalën publike është një shoqëri e lodhur, e pambrojtur dhe e manipulueshme. A mund të ketë raste kur një politikan nuk e thotë të gjithë të vërtetën? Po, politika njeh edhe heshtjen, vonesën e informacionit dhe diskrecionin diplomatik. Por kjo është ndryshe nga gënjeshtra. Heshtja e përkohshme, për arsye sigurie apo negociatash, nuk është deklarim i së pavërtetës. Gënjeshtra është pohim i qëllimshëm i diçkaje që dihet se nuk është e vërtetë. Ky dallim është thelbësor dhe shpesh ngatërrohet me dashje për të justifikuar manipulimin.
Në fund, pyetja fillestare merr një përgjigje të qartë: një politikan nuk mund të jetë njëkohësisht gënjeshtar dhe patriot. Patriotizmi kërkon ndershmëri, përgjegjësi dhe respekt për qytetarin. Gënjeshtra politike i shkel të tria. Ajo mund të sjellë fitore afatshkurtra elektorale, por prodhon humbje afatgjata shoqërore dhe shtetërore. Një komb nuk ndërtohet mbi iluzione, por ndërtohet mbi të vërtetën, sado e vështirë të jetë ajo. Prandaj, kërkesa minimale që një shoqëri duhet t’i bëjë politikës është kjo: thuaje të vërtetën. Jo sepse e vërteta është gjithmonë e lehtë, por sepse pa të nuk ka orientim, nuk ka besim dhe nuk ka atdhe të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, e vërteta nuk është luks moral; është domosdoshmëri politike. Dhe krejt për fund, konsiderojn se kjo analizë për një dukuri kaç shqetësuese ka paraqitje nëpër vende të ndryshme, por e shkrova me qëllimin që qytetarët tanë të jenë të kujdesshëm në kohën e gënjeshtrave, e ta gjejnë të vërtetën.



