ALIBIA E KRIMIT

30 mars 2026 | 11:39

Shkruan: Hajdin Abazi

Për shkak të masakrave ndaj civilëve në Kosovë e konkretisht në Reçak (e cila, për fat, pati dëshmitar William Walker) – vendet Euro-Atlantike për ta ndalë një tragjedi si ndaj boshnjakëve ku humbën jetën rreth gjysme milioni civilë, me anë të bombardimeve të NATO-s e ndalën regjimin gjakatar të Milosheviqit. Serbia ishte justifikuar asokohe se forcat serbe kishin luftuar kundër UÇK-së, e jo se kishin bërë masakra ndaj civilëve. 27 vite më pas, në Prishtinë e lirë, publikisht u stis një alibi!
Ekspozita për masakrat në Kosovë në vitet 1998-1999 befas një mëngjes e kishte “pushtuar” kryeqytetin. Ajo ishte derivat i librit të Shkëlzen Gashit. Kjo ishte përpjekja e tij kulmore për ta legjitimuar një shtrembërim të së vërtetës e cila çuditërisht korrespondon me propagandën Milosheviq-Vuqiq!
Ndaj ekspozitës e cila duhej t’i jepte jehonë së vërtetës për masakrat serbe në Kosovë e që në fakt e kishte deformuar rëndë pikërisht atë, i pari reagoi Sadik Zeqiri, i mbijetuar i masakrës së Dubravës. Ai nuk mundi të heshte, se heronjtë nuk heshtin kur duhet folur. Për më tepër, ai kapi dhe thelbin strumbullar të shtrembërimit që aspak nuk duket të jetë i rastësishëm.
Nuk është thjesht vetëm numri jo i saktë i të masakruarve, sepse, me të drejtë u tha, gabime të tilla mund të ndodhin dhe si shkencëtar e kuptoj këtë. Porse ekspozita ishte e dizajnuar me të dhëna nga “hulumtimet” e Gashit; dhe gjeneratori është pikërisht ai.
Më e rënda është infiltrimi i kuptimeve gjoja të ngjashme, dhe këtu është tërë keqkonceptimi. Kushdo që ka studiuar shkencat politike e di se thelbësore për kuptimin është përdorimi saktë i koncepteve. Kushdo që synon të shmang të vërtetën, pikërisht aty e bën diversionin kuptimor. Rezultati: një ushtar i UÇK-ës i burgosur bëhet ”njeri i armatosur” në burg. Gashi pikërisht këtë kuptim e ka përdredhë. Si rezultat, në disa masakra del se një numër i të vrarëve ishin ”njerëz të armatosur”; e kjo u bë absurde kur edhe në burgun e Dubravës paskëshin qenë ushtarët e UÇK-së të burgosur e që ishin “njerëz të armatosur”! Të burgosur të armatosur!!!
Një kuptim i këtillë i jep Serbisë alibi, të thotë, fjala vjen, se forcat serbe duke luftuar kundër “njerëzve të armatosur” padashje kanë vrarë edhe ndonjë civilë edhe pse këta nuk ishin objektivi kryesor. Tërthorazi, faji i vihet UÇK-së. Ja, lexojeni këtë edhe në librin e Sh. Gashit! Alibi më e madhe nuk ka se si t’i bëhet kryesve të masakrave në Kosovë, e posaçërisht atyre të burgut të Dubravës.
Ekspozitën e hoqi kryetari i Prishtinës z.Rama, por ajo nxori në shesh se dëmi ishte edhe më i madh: 500 ekzemplarë të këtij libri janë blerë (15000 euro) nga MPJD dhe janë shpërndarë gjithandej, duke marrë konotacionin e një diversioni diplomatik!
Kredibiliteti i pretenduar i Sh. Gashit u diskreditua nga referenca e tij: Natasha Kandiq dhe Fondi për të Drejtën Humanitate. Ia përplasën në fytyrë, ashtu si e meritonte: ushtarët e UÇK të burgosur nuk ishin të armatosur! Kaq i cekët paskësh qenë Sh. Gashi, sa të mos e kuptojë këtë? Pak duket e besueshme. Ky shtrembërim i së vërtetës buron nga konceptet e tij që janë deri në atë përmasë sa përafrohet me agjendat anti-UÇK.
Pasi i dështoi thirrja në referencën, Sh. Gashi iu sul institucioneve se nuk e kane shifrën e saktë të viktimave. Me këtë ai po e bartë shkakun e gabimit te shifrat, kurse defekti real dhe pakrahasimisht më i dëmshëm është te kuptimi që ai e ka përmbysur: “njerëz të armatosur” deri edhe në Burgun e Dubravës! Po të ketë pak dinjitet dhe etikë, ai duhet ta sqarojë publikisht se si i bëri të burgosurit “njerëz të armatosur”, të kërkojë falje, ta tërheq librin e tij dhe t’i kthejë paratë publike që i ka marrë në emër të ndriçimit të së vërtetës për masakrat në Kosovë e që ka përfunduar në alibi të krimeve!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar se po…