A po e pengon taksa idenë për ndryshimin e kufirit?

01 prill 2019 | 18:44

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj prodhimeve të Serbisë ka rezultuar me ndërprerjen e procesit të dialogut ndërmjet dy vendeve dhe rrjedhimisht edhe për pengimin e mundësisë që ideja për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi të shtrohet në dialog, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike. Por, sipas tyre, ky është vetëm rezultat anësor, i cili nuk ishte planifikuar qysh më parë nga ekzekutivi i vendit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka kundërshtuar fuqishëm idenë e ndryshimit të kufijve si zgjidhje e mundshme e kontestit Kosovë-Serbi, në disa raste ka thënë se taksa ndaj produkteve të Serbisë është vendosur, ndër të tjera edhe për pengimin e ndryshimit të kufirit.

“Me veprimin e marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra, taksa prej 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarjeje. Kosova nuk jep tokë për njohje dhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia”, pati thënë Haradinaj, në një prej paraqitjeve të tij.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se vendosja e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë nga Qeveria e Kosovës ishte arsyetuar si kundërpërgjigje ndaj politikës dhe diplomacisë agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Sipas tij, fillimisht nuk ishte ditur që vendosja e kësaj takse do të kishte për efekt ndërprerjen e dialogut nga Serbia.

“Pasi që Serbia, respektivisht presidenti (Aleksandër) Vuçiq, e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me taksën, u pa që taksa po e pengon dialogun. Kjo duket se i shkoi në favor edhe kryeministrit Haradinaj, i cili përmes taksës e çoi përpara kundërshtimin e tij ndaj ndryshimit të kufijve. Pra, vendosja e taksës nuk e kishte qëllimin kryesor pengimin e dialogut, por me veprimin e Serbisë, për kushtëzimin (e dialogut) me heqjen e taksës, kjo po del se mund ta pengojë dialogun dhe deri më tash e ka bërë këtë”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa, Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka vlerësuar se me vet faktin që vënia e taksës për prodhimet e Serbisë dhe mospezullimi i saj nga Qeveria e Kosovës, kanë ndikuar në ndërprerjen e dialogut, rrjedhimisht ka ndikuar edhe në mosavancimin e idesë për ndryshim të kufirit Kosovë-Serbi.

Sipas tij, në praktikë, i bie që kryeministri ka të drejtë, por mbetet pikëpyetje nëse taksa për mallrat e Serbisë është mënyra më e mirë për ta ndaluar idenë e ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e kontestit ndërmjet dy vendeve. Siç thotë ai, kjo masë e ka ndaluar tërësisht dialogun, madje edhe për çështjet që nuk lidhen domosdo me idenë e ndryshimit të kufirit.

Megjithëkëtë, njohësit e zhvillimeve politike, kanë thënë se kryeministri Haradinaj, do të vazhdojë ta mbajë në fuqi vendimin për taksën ndaj prodhimeve të Serbisë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/a-po-e-pengon-taksa-idene-per-ndryshimin-e-kufirit-/29854993.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë me…