Mbi 31 mijë vaksina kundër gripit sezonal janë administruar në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se deri më 6 nëntor 2026, në Kosovë janë administruar gjithsej 31 mijë e 400 doza të vaksinës kundër gripit sezonal.
Sipas IKShPK-së, vaksinat janë administruar në periudhën nga 21 tetori deri më 6 nëntor, duke e vlerësuar këtë si tregues të angazhimit të institucioneve shëndetësore dhe vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me kohë, veçanërisht personave që bëjnë pjesë në grupet me rrezik të lartë për komplikime nga gripi.
Në mesin e grupeve për të cilat rekomandohet veçanërisht vaksinimi janë personat mbi moshën 65-vjeçare, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët, personat me imunitet të dobësuar dhe punëtorët shëndetësorë.
Vaksinimi rekomandohet edhe për personat që për shkak të profesionit apo rrethanave të tjera janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve respiratore.
Instituti rikujton se vaksina është masa më e rëndësishme parandaluese për uljen e rrezikut nga gripi sezonal dhe komplikimet e tij. Mbrojtja nga vaksina zhvillohet rreth dy javë pas administrimit të saj.
Meqenëse aktiviteti i gripit sezonal pritet të rritet gjatë muajve të ardhshëm, IKShPK u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, përkatësisht në QKMF, QMF dhe AMF në komunat e tyre.



