A po fillon çmontimi i krimit në Ballkan?

09 qershor 2021 | 13:25

Shkruan: Milazim Krasniqi

Me zgjerimin e urdhëresës për masat e jashtëzakonshme në Ballkanin Perëndimor, nga ana e presidentit Bajden, si duket ShBA po e fillon çmontimin e strukturave kriminale në Ballkan. Mirë që po fillon çmontimi i tyre, por keq që janë lejuar tash 30 vjet. Shumë nga ato figura të krimit politik e ekonomik, kanë qenë partnerë të ShBA-së dhe të BE-së për këto tri decenie.
Në fakt, janë shfrytëzuar si “faktorë stabiliteti”, ndërsa kriminelët e kanë shfrytëzuar partneritetin me ShBA dhe BE për mbajtjen peng të rajonit, duke koketuar shumë edhe me Rusinë, me Kinën dhe me agjentë të ndryshëm joshtetërorë, shumë destabilizues. Çmontimi i krimit, që e ka burimin në politikë, duhet të përfshijë gjithë Ballkanin Perëndimor, pra edhe Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut. Bile mbetet e pakuptueshme se si është lejuar lulëzimi i tij, veçmas i korrupsionit, në një vend si Kosova, e cila ka qenë që nga viti 1999 dhe është edhe sot nën mbikëqyrje nga NATO, nga BE dhe nga OKB! Thjesht e pakuptueshme! Por, për të pasur sukses të plotë projekti amerikan, ai duhet të fillojë nga Serbia, sepse në Serbi krimi është i shumështresuar, aktiv dhe më i rrezikshëm se kudo tjetër në rajon. Në fakt, politika destabilizuese e Serbisë e ushqen krimin e organizuar dhe korrupsionin në mbarë rajonin, sepse nuk lejon avancimin drejt integrimeve euro-atlantike as te shteteve që i mban nën presion, BeH, Kosovën dhe Malin e Zi. Prandaj, nëse goditet si duhet krimi në Serbi, në atë rast, në sistemin e karambollit që vlen në bilardo, do të goditet krimi edhe në vendet e tjera, që janë peng të politikave kriminale të Serbisë. Presidenti Bajden e njeh mirë rajonin. I njeh mirë horrat e krimit politik e ekonomikë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj ka shpresë për sukses.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka treguar në Kuvend…