
A po lëviz Ballkani drejt Evropës apo drejt një harte të re ndërmjetësimi?
Shkruan: Hisen Berisha
(Samiti i Shkupit me më shumë simbolikë se sa substancë)
Në Shkup, në një klimë politike më shumë reflektuese sesa integruese, u zhvillua një takim i rëndësishëm mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, me fokus në thellimin e procesit të integrimit, bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe rifreskimin e perspektivës evropiane për vendet e rajonit. Ky samit vjen në një moment kritik, kur rajoni ndodhet nën presionin e dinamikave të brendshme destabilizuese, ndikimeve gjeopolitike të jashtme dhe përplasjes mes qasjes evropiane dhe doktrinës së rikthyer amerikane në politikën ndërkombëtare – ashtu si po artikulohet përmes kornizës së njohur si “Doktrina Trump”.
Temat kyçe që u trajtuan në samitin e Ballkanit Perëndimor në Shkup sipas agjendën zyrtare kanë përfshirë:
Perspektivën e zgjerimit të BE-së, të lidhur ngushtë me përmbushjen e reformave demokratike dhe sundimin e ligjit;
Thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, përmes Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, i shpallur më herët nga Komisioni Evropian; dhe
Siguria dhe stabiliteti në rajon, në një kontekst ku krizat e brendshme politike dhe tensionet ndëretnike rrezikojnë përparimin, qëndrueshmërinë politike.
Por përtej axhendës zyrtare, ky samit është gjithashtu arenë ku përqohen dhe lexohen mesazhe, sinjale dhe rikalojnë interesat strategjik të fuqive të mëdha për rajonin. Por pjesa joformale e samitit, duket të jet shumë më komplekse – dhe ndoshta më e rëndësishme.
Një ndër temat që pritej të qëndrojë tërthorazi në tryezën e takimit – edhe pse jo pjesë zyrtare – është perspektiva e dialogut Kosovë–Serbi i mbetur në ngërç nën hijen e dy doktrinave.
Procesi i ndërmjetësuar nga BE-ja, që për një dekadë ka prodhuar marrëveshje, por jo zbatim, ndodhet në një fazë të stanjacionit kritik. Mungesa e vullnetit për zbatim nga Serbia, si dhe qasja shpesh kontradiktore deri në dështim e BE-së, kanë vënë në pikëpyetje jo vetëm efektivitetin e dialogut, por edhe besueshmërinë e Evropës si ndërmjetësues neutral.
Në këtë sfond, rikthimi i qasjes së ashpër dhe transaksionale të SHBA-së, e mishëruar në “Doktrinën Trump”, po shihet me interes të shtuar në rajon – sidomos në Kosovë.
Kjo doktrinë, e cila ngre interesin kombëtar amerikan mbi qasjet multilaterale burokratike, mund të sjellë ndryshim të ritmit, qasjes dhe instrumenteve presionuese, nëse SHBA-ja e rimerr drejtimin aktiv të dialogut. Nën një administratë që operon sipas parimit të “marrëveshjeve të shpejta me kushte të qarta”, mund të pritet që palët të mos kenë më luksin e vonesave taktike apo bllokimeve të qëllimshme.
Duket se Ballkani Perëndimor, po shndërrohet në një “test terreni” të qasjeve të reja në politikën ndërkombëtare. Veçanërisht përmes rastit të Kosovës, po bëhet një terren ku përplasen qasjet strategjike të Perëndimit: njëra burokratike, e ngadaltë dhe shpesh e paqartë (BE), dhe tjetra direkte, presionuese dhe e fokusuar në rezultat (SHBA).
Me rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, paradigma e ndërmjetësimit diplomatik në rajon mund të ndryshojë rrënjësisht, duke e zhvendosur fokusin nga “status quo-ja e menaxhuar” në drejtim të marrëveshjeve të imponuara për stabilitet afatgjatë.
Edhe pse samiti në Shkup nuk pritet të prodhojë tronditje politike apo vendime madhore, ngase është me më shumë simbolikë se sa substancë, ai mund të lexohet si termometri politik i rajonit.
Sa janë të gatshme vendet e Ballkanit të pranojnë reformat që kërkohen nga BE?
A ka ende vullnet të vërtetë për integrim, apo kemi të bëjmë me retorikë të konsumuar?
Dhe më e rëndësishmja: a është BE-ja ende e besueshme si garantuesja e vetme e së ardhmes së rajonit, apo SHBA-ja po përgatitet ta rimarrë timonin, me një qasje më të prerë dhe më pak tolerante ndaj status quo-së?
Këto janë pyetjet që mbeten pezull, por që në tryezën e Shkupit, edhe të nënkuptuara, janë më të pranishme se kurrë.