A PO RIKTHEHET VJOSA NGA PRESIDENCA NË LISTË?

25 tetor 2025 | 20:46


Shkruan: Bajram Gecaj

Duket se Presidentja Osmani po përgatitet për “rikthimin e madh” — jo në ndonjë kapitull të ri politik, por thjesht në listën e mikut të saj të përhershëm, Albin Kurti. Me atë mënyrën e saj të zakonshme për të thënë shumë e mos me thënë asgjë, ajo deklaroi se “në qoftë se populli i Kosovës dëshiron që unë akoma të jap kontribut për Republikën tonë, atëherë do të vazhdoj ta jap atë kontribut.” Një deklaratë kjo që do të tingëllonte fisnike po të mos e dinim se në Kosovë “populli” flet një herë në katër vjet — e që nënkupton qëllimin e saj të hyjë në listën zgjedhore.

Por kur s’ka vepra, mbetet fjala. Dhe fjala e Presidentes ka kohë që është bërë sport kombëtar i mbrojtjes së të pambrojtshmes. Ajo na siguroi, me një ton paternalist e të vetëkënaqur, se “Kosova në këto pesë vite ka pasur dyert më të hapura se gati në çdo periudhë tjetër përpara… përveç natyrisht s’po e krahasoj me vitin e shpalljes së pavarësisë.” Në realitet, asnjë derë nuk është më e hapur — përveç ndoshta derës së salloneve diplomatike ku bëhen fotografi protokollare dhe shpërndahen fjalë boshe. Të thuash se Kosova nuk është e izoluar sot, është po aq serioze sa të thuash se titanikut i shkoi mirë udhëtimi, përveç pjesës së fundit.

“Unë si presidente, dhe udhëheqëse e politikës së jashtme, nuk ka organizim ndërkombëtar ku nuk kam qenë,” tha ajo me krenari, sikur prania nëpër korridore konferencash të zëvendësonte ndikimin politik. Në fakt, kjo tingëllon më shumë si dëshmi e turizmit diplomatik sesa e diplomacisë aktive. E për disa politikanë, mjafton që kamera të fiksojë buzëqeshjen — pjesa tjetër rregullohet me një status në rrjetet sociale.

Më tej, Presidentja u mundua të qetësojë opinionin me fjalët se “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë që ndërprerja e planifikimit të dialogut strategjik nuk është kundër popullit të Kosovës, dhe partneriteti me presidenten do të vazhdojë.” Natyrisht, SHBA-të nuk janë kundër popujve — por kjo nuk i jep të drejtë askujt të fshihet pas emrit të tyre sa herë që diçka dështon. Është e lehtë të thuash “nuk është kundër nesh”, kur në fakt problemi është “me ne”. Dhe kur mbytja politike është e afërt, çdo fije bari duket si spirancë shpëtimi. Në këtë rast, fija e kashtës është vetë Presidentja, që përpiqet ta mbajë marrëdhënien në frymën e fundit, me një entuziazëm që tashmë tingëllon më shumë si lutje sesa si strategji.

Por realiteti është kokëfortë. Jo, Kosovë nuk ka qenë kurrë më keq në arenën ndërkombëtare — madje as kur nuk ishte shtet. Në kohën e Rugovës, Kosova nuk kishte as flamur e as njohje, por kishte respekt dhe kredibilitet. Sot kemi simbole, por asnjë vend nuk na merr seriozisht. Atëherë Serbia ishte nën sanksione, sot jemi ne — dhe ky është rezultati i “diplomacisë aktive” që përmendet çdo herë kur mungojnë rezultatet reale.

Në fund të ditës, mbetet ironia e hidhur: dikur Rugova udhëtonte pa shtet, por me dinjitet; sot udhëtojmë me pasaportë të shtetit, por pa respektin që e meriton një shtet. Dhe në këtë përmbysje të hidhur, Presidentja Osmani dhe miku i saj Kurti mund të mburren me një gjë të vetme — që ia dolën ta vendosin Kosovën në titujt ndërkombëtarë, por për arsyet e gabuara.

P.S. Loja “good cop, bad cop” (polici i mirë, polici i keq) tanimë është bë krejtësisht transparente!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është publikuar videoja e plotë e incidentit që ndodhi në…