Abdixhiku: Dështimi i proceseve negociuese s’është fund, por moment kthese për LDK-në

22 prill 2026 | 11:19

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka mbajtur një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e kësaj partie në mërgatë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Abdixhiku ka  thënë se i ka njoftuar nëndegët për rrjedhën e proceseve negociuese për presidentin, të cilat, siç ka thënë ai, fatkeqësisht kanë dështuar, përkundër vullnetit maksimal dhe kërkesave miminale të partisë.

“Por ky dështim nuk është fund, është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe për Lidhjen.  Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së, si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët”, ka shkruar Abdixhiku.

Më tutje, ai ka thënë se me këto nëndegë është dakorduar për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë.

“Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë. Koha për pritje ka përfunduar.  Koha për veprim ka nisur”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata ORCA përmes një komunikate për medie ka reaguar lidhur…