Abdixhiku kritikon Kurtin që po merret me zgjedhjet në Shqipëri, e në Kosovë brenda javës nga 80 qytetarë po vdesin nga Covidi

12 prill 2021 | 10:15

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti që ai, ministrat dhe deputetët e tij po merren me zgjedhjet në Shqipëri, e ndërkaq në Kosovë 80 qytetarë në javë po vdesin nga Covid-19.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi”.

“Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”, duke shtuar se kjo qeveri i ka braktisur qytetarët e saj.

“Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet”.

“Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!”, ka shkruar lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dielën mbrëma u mbajt ceremonia e ndarjes së shpërblimeve…