Abdixhiku kujton Xhemajl Mustafën: U vra në Kosovën e lirë, përgjegjësinë për zbardhjen e vrasjes e ka Republika

23 nëntor 2026 | 13:16

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar veprimtarin dhe bashkëpunëtorin e afërt të ish-presidentit  Ibrahim Rugova, Xhemajl Mustafën, në 26-vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku e ka cilësuar Mustafën hero dhe patriot, duke vlerësuar kontributin e tij në organizimin e qëndresës paqësore të shqiptarëve të Kosovës dhe në informimin e botës për atë që po ndodhte në Kosovë.

Ai ka rikujtuar se Xhemajl Mustafa ishte gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”, njëri ndër themeluesit e LDK-së dhe zëdhënës i presidentit Ibrahim Rugova.

Abdixhiku ka theksuar se Mustafa kishte qëndruar në Prishtinë edhe gjatë luftës, nga ku kishte shkruar edhe tekstin “Një lutje për Prishtinën”, duke lënë dëshmi për përjetimet e tij gjatë asaj periudhe.

Duke folur për vrasjen e tij, kreu i LDK-së ka kërkuar drejtësi për familjen Mustafa, duke theksuar se edhe pas 26 vjetësh ende nuk është dhënë përgjigje se kush e vrau dhe përse.

“Familja Mustafa, si të tjera familje të Kosovës, kanë të drejtë të dinë kush ua vrau babën, bashkëshortin, vëllain dhe pse. Pse vritet një patriot? Pas 26 vjetësh, këtë përgjigje ende ua kemi borxh”, ka shkruar Abdixhiku në ‘Facebook’.

Ai ka shtuar se përgjegjësia për zbardhjen e kësaj vrasjeje i takon Republikës së Kosovës, duke theksuar se kjo përgjegjësi nuk mund të fshihet dhe as të harrohet.

Në fund, Abdixhiku ka shprehur respektin për figurën e Xhemajl Mustafës dhe ka përcjellë mesazh solidariteti për familjen e tij.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë…