Abdixhiku në Dragash flet për bashkimin e së djathtës në LDK: Është domosdoshmëri e kohës
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me disa bashkëpartiakë nga Prishtina, ka shkruar në Dragash, një komunë që udhëhiqet nga kjo parti. Ai atje është pritur nga kryetari Bexhet Xheladini.
Edhe atje Abdixhiku ka folur për qëllimin e tij për bashkimin e së djathtës brenda partisë së tij, për të cilin ditë më parë ka thënë se e ka mision.
“Për kafe në Dragash. Për të bashkëbiseduar me veprimtarët e pafjale por punëtorë të mëdhenj, për bashkimin e së djathtës në LDK si domosdoshmëri e kohës. Është një mundësi që s’kapërcehet, në një moment kritik për vendin; nuk do ta shpërdorojmë – bashkimi do të ndodhë!”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se në këtë “bashkim duhet të ndërtojmë një alternativë serioze për vendin, për qytetarët”.
“Për ata që presin. Në këtë alternativë duhet të jemi në hap me kohën, ashtu siç e kërkon prej kohësh vetë qytetari ynë. Këtu merr fund politika e funksionarëve që gjithë angazhimin e tyre politik e shohin vetëm për veten, te pyetja ‘ku jam unë?’, e jo te pyetja thelbësore ‘çfarë përfaqësoj unë për popullin?’. Kjo alternativë do të bëhet. Sepse LDK është vlerë e besim, jo pozitë e përfitim”, ka thënë ai.



