Abdixhiku ngushëllon familjen Daci për vdekjen e ish-kryeparlamentarit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka cilësuar vdekjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci si humbje të një prej figurave më të rëndësishme shkencore dhe shtetformuese të vendit.
Abdixhiku ka theksuar se Daci ishte jo vetëm një mendje e ndritur, por edhe zë i përgjegjësisë publike, i dinjitetit qytetar dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj shtetit të Kosovës.
Ai ka vlerësuar kontributin e Dacit si personalitet publik dhe kryetar i Kuvendit, duke lënë gjurmë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin shtetformues të vendit.
“Sot Kosova humbi një prej figurave të saj më të rëndësishme shkencore dhe shtetformuese. Akademik Nexhat Daci ishte jo vetëm mendje e ndritur e vendit, por edhe zë i përgjegjësisë publike, i dinjitetit qytetar dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj shtetit të Kosovës. Gjatë gjithë jetës së tij ai qëndroi në shërbim të dijes, institucioneve dhe të së ardhmes së vendit tonë. Si profesor, akademik dhe drejtues institucionesh, ai kontribuoi thellë në zhvillimin e arsimit të lartë, të shkencës dhe të mendimit akademik në Kosovë. Ndërsa si personalitet publik, si Kryetar i Kuvendit, la gjurmë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin tonë shtetformues. Me respekt të thellë nderojmë jetën, veprën dhe trashëgiminë e tij. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.



