Abdixhiku pasi asamblisti i LV-së u kap me drogë në Tiranë: Të hetohet rrjeti dhe mbështetja politike

15 gusht 2023 | 13:38

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas raportimeve se asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci është arrestuat bashkë me disa persona tjerë, pasi kapën me ekstazi në Tiranë.

Abdixhiku ka “rikujtuar” insistimin e opozitës në kryeqytet që ta vendosin Mujecin si aksionar në Stacionin e Autobusëve të kryeqytetit.

“Pazaret e tilla duket se kanë pasur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Ai ka ftuar Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet “në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces”.

“Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të kryeqytetit.

Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë.

Synim asokohe – ndër të tjerash – ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusëve të kryeqytetit.

Sot, teksa një asamblist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion.

Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë.Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë.

Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.

Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barazimet me Rumaninë dhe Andorrën, si dhe humbja nga Bjellorusia…