Lëvizje në kupolën e Policisë së Kosovës, preken disa nga emrat e njohur të hierarkisë policore
Po raportohet se do të nisë një valë ndryshimesh në kupolën e Policisë së Kosovës dhe dikastereve të rëndësishme brenda këtij institucioni të sigurisë, pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga pozita e drejtorit të përgjithshëm pas vrasjes së paralajmëruar të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Nacionale raportoi se ndryshimet pritej të bëheshin sot në disa prej pozitave më të rëndësishme drejtuese në Polici.
Agron Nezaj, Afërdita Mikullovci dhe Luan Keka, tre zyrtarë policorë me përvojë të gjatë në hallkat drejtuese të Policisë raportohet se do të preken nga këto ndryshime.
Sipas Nacionales, Agron Nezaj pritet të largohet nga pozita e drejtorit të Departamentit të Hetimeve, një prej departamenteve më të rëndësishme të Policisë, përgjegjës për hetimin e kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar dhe veprat e tjera të rënda penale. Ai e kishte udhëhequ këtë departament edhe gjatë mandatit të Gazmend Hoxhës në krye të Policisë dhe raportohet se kishte qenë pjesë e delegacioneve të larta policore në takime ndërkombëtare dhe në aktivitete të përbashkëta me Prokurorinë Speciale.
Afërdita Mikullovci, kolonele e cila që nga viti 2018 udhëheq Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, u raportua se do të prekej në pozitë.
Për të, Nacionale shkruan se është ndër gratë me përvojën më të gjatë në pozita të larta komanduese në Policinë e Kosovës. Sipas burimeve të gazetës, ajo pritet të largohet nga drejtimi i rajonit të Mitrovicës dhe të transferohet në strukturat e trafikut rrugor.
Luan Keka, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit, pritet që t’i ndryshohet pozita gjithashtu. AiKeka është një prej drejtuesve të vjetër të kësaj strukture. Ai përmendet publikisht si drejtues i Kundërterrorizmit të paktën që nga viti 2015. Ka ndjekur Akademinë Kombëtare të FBI-së në Shtetet e Bashkuara dhe ka qenë i përfshirë në trajnimet profesionale të institucioneve të drejtësisë për terrorizmin dhe ekstremizmin.
Ndryshimet e paralajmëruara ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndërsa nuk dihet nëse bëhet fjalë për një riorganizim të zakonshëm, për vlerësime të performancës apo për vendime të tjera të menaxhmentit policor.
Gazeta Express merr vesh se pozita do t’i ndërrohet edhe drejtorit të Drejtorisë së Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi. Ai pritet të transferohet në Prishtinë, por nuk dihet ende se në çfarë pozite.
Edhe Klan Kosova raportoi se kanë nisur ndryshime në hierarkinë e Policisë së Kosovës. Sipas këtij mediumi, Veton Elshani, i cili deri tani ka qenë zëvendëskomandant i Policisë për rajonin e veriut, nga sot do të udhëheq me Departamentin Kufitar.
Në vend të Elshanit, si zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut raportohet se është emëruar Petrit Fejza, i cili deri tani ka qenë shef i operativës.



