Abdixhiku: Qeveria po ngulfat sektorin privat, bizneset kanë nevojë për përkrahje

30 shtator 2022 | 12:30

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se qeveria Kurti është duke e ngulfatur sektorin privat. Ai ka deklaruar se bizneset kanë nevojë për përkrahje dhe jo për burokraci.

“Bizneset në Kosovë kanë nevojë për përkrahje jo për burokraci. LDK-ja do të reduktojë burokracinë për biznese, në mënyrë që të zhvillohen pa pengesa nga shteti. Programi ynë parasheh që ndihmojë ato kompani që kanë nevojë për të arritur standardet e kërkuara të cilësisë që kanë potencial për eksport. Qeveria aktuale ka ngulfatur bizneset dhe nuk ka ofruar përkrahje për to”, ka thënë Abdixhiku gjatë një vizite në kompaninë “Joni-Sh”, e cila merret me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e frutave të imta.

Abdixhiku ka thënë se sektori i prodhimtarisë është duke u ballafaquar edhe me mungesë të energjisë për shkak te keplanifikimeve të qeverisë.

“Kriza energjetike që goditi Kosovën në muajt e verës ka bërë që shpenzimet e kompanive të rriten dhe fitimi të zvogëlohet. Qeveria Kurti nuk ka planifikuar dhe nuk ka bërë mirëmbajtje të rregullt të kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë, dhe si rezultat kemi ndërprerjet. Kështu, për kompanitë, kjo do të thotë se investimet që janë paraparë të bëhen në zgjerim të biznesit duhet të presin ditë më të mira”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Më tutje, Abdixhiku ka përmendur planin 10-pikësh të LDK-së për përballimin e krizës së energjisë elektrike. “Plan ofron zgjidhje edhe për sektorin e biznesit në Kosovë, që të kalojnë sa më lehtë krizën të cilën nuk po e zgjidhë qeveria e papërgjegjshme dhe e paaftë”, është shprehur ai, duke shtuar se pika 9 e planit parasheh themelimin e bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri ku do të mundësohet tregtimi i lehtë dhe i shpejtë i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona.

I pari i LDK-së, ka thënë se grumbullimi dhe përpunimi i ushqimit mbetet një sektor që meriton të zhvillohet edhe më tutje dhe do të sjellë vlerë të shtuar në vendin tonë. “Ne shohim shumë potencial nga kompanitë si ‘Joni-Sh’, që ofrojnë produkte natyrale dhe bio, që janë tepër të kërkuara në tregjet ndërkombëtare. Ky sektor punëson drejtpërdrejtë mbi 10 000 punëtorë, dhe ky numër shkon në 50 000 kur llogaritet i gjithë zinxhiri, duke përfshirë edhe fermerët që ofrojnë produktet e tyre bazë. Ky sektor, në përgjithësi punëson më shumë gra, rreth 62 për qind. Pra ndihma ndaj këtij sektori është ndihmë për gratë në Kosovë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Me moton “LDK ju dëgjon” kjo parti ka nisur serinë e takimeve me qytetarë dhe biznese përmes të cilave synon të krijojë politika të përgatitura enkas për të adresuar temat aktuale dhe për t’u përgatitur për të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të shënimit të 11 vjetorit të themelimit të…