Abdixhiku thirrje qeverisë: Koordinim të ngushtë me Administratën Biden

03 nëntor 2022 | 10:47

Në kuadër të ciklit të ri debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, u takua me struktura e qytetarë të Lipjanit.

Ne këtë diskutim Abdixhiku ngriti shqetësimin e përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët.

“Kosova nuk ka pse të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve më të ngushtë ndërkombëtarë; Kosova duhet t’i ketë të dyja, edhe ligjshmërinë edhe aleatët ndërkombëtarë. Një Qeveri që sjellë vendin përballë një zgjedhje të tillë, ka dështuar që në fillim”, ka theksuar Abdixhiku.

Duke parë gabimet e qeverisë në këtë drejtim, Abdixhiku tha se “Qeveria e Kosovës ka dështuar që në fillim. Edhe është tërhequr nga vendimi i parë; edhe ka propozuar shtyrjen pa koordinim dhe së këndejmi pa mbështetje të faktorit ndërkombëtar”.

Gjatë takimit me qytetarë dhe struktura të LDK-së ai tha se krahas zhvillimeve të mëdha rajonale dhe kontinentale, Kosova ka nevojë për mbështetjen nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian.

“Në kohë të zhvillimeve të mëdha rajonale e kontinentale, Kosova ka nevojë për mesazhe mbështetëse nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian. Do të duhej të ishim në momentet më të mira politike pas një kohe të gjatë. Kosova ka nevojë për ndihmë të aleatëve në proceset integruese euroatlantike; përkatësisht në liberalizim të vizave e në anëtarësim në NATO”, ka thënë ai, duke shtuar se: “Ajo që më së paku që i duhet Kosovës sot, është zhgënjimi e dëshpërimi i qendrave më mike të vendit tonë me institucionet e Kosovës”.

Abdixhiku, duke iu referuar aleatëve të Kosovës, tha se “Sot ne duhej të ecnim hap me hap me ta. T’i hapnim dyert Kosovës, të siguronim njohje, anëtarësime, e investime. Deklaratat e zhgënjimit e dëshpërimit ndaj Kosovës, dëshmojnë të kundërtën dhe si të tilla, domosdo janë me pasoja të mëdha për vendin dhe shoqërinë tonë. Dhe sot duhet të pyesim veten të gjithë, çfarë interesi kombëtar qenka një distancim i tillë?Udhëheqja shtetërore, në veçanti në relacion me aleatë, nuk është platformë popullizmi për turma. Është, para së gjithash, përgjegjësi e shtetarëve të mëdhenj. Por Kurti nuk është i tillë. Ai nuk i njeh as interesat e Kosovës, as domosdoshmërinë e aleancave tona”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se si LDK, përveç që shprehin shqetësimin e thellë mbi relacionet e fundit të krijuara, ritheksojnë nevojën e koordinimit të plotë me aleatët. “Kërkesat e tyre të sinqerta, të Administratës Biden në ShBA e të aleatëve tjerë evropianë, duhen te merren me mençuri e jo me arrogancë”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka publikuar një…