Absurditeti i Gjykatës Speciales, ia lejon ZPS-së të dorëzojë ende materiale

02 prill 2026 | 15:59

Trupi gjykues në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka vendosur edhe për një çështje në favor të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke lejuar dorëzimin e materialeve edhe pasi procesi gjyqësor është përmbyllur. Sipas vendimit të Gjykatës Speciale, ZPS-ja ka dorëzuar materiale më 4 dhe 10 mars, por që sipas vendimit, nuk ka prova të reja në procedurë.

“Paneli vëren se mbrojtja e Thaçit e ngre këtë argument për herë të parë në Përgjigjen e saj dhe, në kundërshtim me Rregullin 76, këto argumente nuk adresojnë asnjë çështje të ngritur nga ZPS-ja në përgjigje. Sidoqoftë, Paneli vëren se Rregulli 139 përcakton qartë cilat prova do të shqyrtojë Paneli për qëllimet e vendimit dhe siç u tha nga gjyqtari i procedurës paraprake, një panel gjyqtarësh profesionistë mund të vlerësojë vetëm provat e pranuara para tij në gjyq. Nëse ato janë, siç pretendohet nga mbrojtja, inkriminuese apo, siç etiketohen nga ZPS-ja, shfajësuese, është pra e parëndësishme dhe mbrojtja nuk ka arritur të tregojë ndonjë paragjykim që do të kërkonte një lehtësim. Prandaj, këto argumente hidhen poshtë. Për dallim nga parashtrimet e mbrojtjes, paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar panelit në kuadër të këtij rregulli”, është thënë në vendimin e Speciales.

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka përfunduar. Madje, edhe vetë gjyqtarët kishin theksuar se asnjë material i ri nuk mund të dorëzohet, përveç në rrethana të jashtëzakonshme. Pavarësisht kësaj, Prokuroria e Hagës ka vazhduar me deponimin e disa provave e dokumenteve lidhur me këtë rast.

Kjo është bërë me dije në një ankesë që është dorëzuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

Në ankesën e mbrojtjes së Thaçit është thënë se prokuroria ka dorëzuar materiale më 4 mars, 10 mars dhe 11 mars, pavarësisht se gjykimi ka përfunduar. “Më 18 shkurt 2026, trupi gjykues e mbylli çështjen në përputhje me Rregullën 136 dhe deklaroi shprehimisht se “në përputhje me Rregullën 136, nuk mund të bëhen më paraqitje apo të dorëzohen prova të tjera para trupit në këtë fazë, përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur ekziston arsye e justifikuar. Kjo, natyrisht, nuk përfshin çështjet që duhet të rishikohen rregullisht, siç është paraburgimi”, është thënë në ankesën e mbrojtjes së Thaçit.

Sipas mbrojtjes, nuk lejohet që edhe më tutje të dërgohen prova të tilla. “Për më tepër, arsyetimi në vendimin kornizë për t’i dhënë qasje gjykatësit të procedurës paraprake (dhe më pas trupit gjykues) në nxjerrjet e materialeve sipas Rregullave 102 dhe 103 nuk vlen më. Gjykatësi i procedurës paraprake kishte konstatuar se duhej të merrte kopje të këtyre nxjerrjeve të materialeve për shkak të “detyrës së tij për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim” dhe për të siguruar që ‘provat relevante, qoftë ato të rëndësishme për përgatitjen e Mbrojtjes apo potencialisht shfajësuese, të zbulohen brenda afatit të caktuar’. Këto shqetësime nuk vlejnë më, duke qenë se procedurat tashmë janë mbyllur. Nëse ZPS-ja zbulon materiale shfajësuese që kërkojnë rihapjen e çështjes, i takon mbrojtjes të paraqesë një kërkesë në përputhje me rregullën 136 dhe të dëshmojë arsye të justifikuar dhe rrethana të jashtëzakonshme për pranimin e atij materiali si prove”, është thënë në këtë ankesë.

Si rezultat, mbrojtja e Thaçi ka pasur kërkesë direkte për gjyqtarët që të mos nxjerrën prova të tjera. “Për arsyet e sipërpërmendura, mbrojtja i kërkon me respekt trupit gjykues që: të urdhërojë ZPS-në të mos bëjë zbulime të provave shtesë para trupit gjykues, qoftë përmes ‘legal workflow’ apo ndryshe, përveç nëse mund të dëshmojë arsye të justifikuar dhe rrethana të jashtëzakonshme për ta bërë këtë”, është thënë në ankesën e mbrojtjes së Thaçit. /Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora…