Adem Ademi nga ‘Grupi i Intelektualëve’ rivarroset më 28 nëntor
Kirurgu Adem Ademi, mbetjet mortore të të cilit u identifikuan pas gërmimeve të zhvilluara në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të zhdukur që nga lufta, do të rivarroset më 28 nëntor në Mitrovicë.
Lajmin e ka bërëme dije djali i tij, Erblin Ademi.
Ai ka njoftuar se para rivarrimit, i cili është paraparë të mbahet në orën 14:00, do të zhvillohen homazhe nga ora 10:00 deri në 11:30, ndërsa nga ora 12:00 deri në 13:00 do të mbahet mbledhja komemorative në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.
Më 3 nëntor ishte identifikuar trupi i Ademit, i cili figuron si i zhdukur prej 27 vjetësh.
Lajmin për identifikimin e tij e kishte bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili kishte njoftuar se, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së nga laboratori në Hagë, janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.



