Adem Demaçi apo manuali i vetëmohimit

26 shkurt 2023 | 12:55

Shkruan: Musli Krasniqi

Thuhet se i madh është ai popull që jep njerëz të mëdhenj.

Historia njerëzore ka radhitur nëpër skemat e veta shumë syresh, që nëpër etapa të caktuara kanë lënë gjurmët e veprës së tyre. Siç do të thoshte Horaci, është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe, por më kënaqësi është të jetosh për të.

Analet e historisë kombëtare janë të mbushura me të tillë heronj. Ndër ta, njëri për të cilin as publicistika e as vet historia ende nuk ka dhënë fjalën e plotë dhe as për së afërmi në përmasën meritore.

Adem Demaçi.

Figurë markante e kombit, që nga mesi i errësirës i jepte diell popullit të vet. Me gjakun valë e zemrën zjarr, koha e farkëtoi me virtytet më të larta të atdhetarit, duke e bërë udhërrëfyes të vetëmohimit për të mirën e kombit.

Pas tij, veprimtarët e patën më të lehtë ta gjejnë rrugën e lirisë.

Historia nuk ua ka rezervuar të gjithëve rënien në altar lirie, si akt sublim i përfundimit të veprimtarisë jetësore. Por ajo merr në gjirin e saj dhe i njeh si heronj, po në lartësinë e të rënëve, të gjithë ata që jetën e tyre e vunë në shërbim të kombit e të atdheut, çdo ditë, në mënyra e në rrethana të ndryshme.

Jehona e veprës kombëtare të Adem Demaçit do t’u shkojë brezave si kushtrim, sa herë që përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri të vihen në pikëpyetje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edukimi është një ndër metodat që organizata Roma Versitas Kosovo…