Adem Demaçi hyri në politikë për t’i dhënë asaj e jo për të marrë nga ajo

20 shkurt 10:35

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (8)

164. Metush Krasniqi, bashkëveprimtar me Adem Demaçi: Për mua dhe Adem Demaçin synim jetësor ka qenë bashkimi kombëtar

Me Adem Demaçi jemi pajtuar se qëllim jetësor i yni ishte çlirimi i Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë. Ndërsa, sa i përket sistemit komunist në Shqipëri, ishim të bindur se nuk do të duhej të merreshim me të sepse ai, me kohë, do të binte.

165. Mevlyde Saraçi, veprimtare e dalluar e çështjes kombëtare: Adem Demaçi, qëndresa shqiptare
Duke qenë edhe vet veprimtare dhe e burgosur politike ndiej dhembje dhe krenari njëkohësisht për të gjithë atdhetarët që pësuan në burgjet jugosllave, si nga pushteti serb si nga bashkëpunëtorët e tyre që gjithmonë i kanë gjetur në mesin tonë, e në veçanti për Heroin e kombit Adem Demaçin, qëndresën shqiptare.

166. Migena Arllati, profesoreshë: Fjalët e Adem Demaçit prisnin më keq se shpata
Në aksiomën “E para ishte fjala!” do të bazohet edhe Adem Demaçi që në rininë e tij të hershme. Që nga fillimi ai e kishte treguar interesimin ndaj vendit dhe kombit me fjalë. Nuk kishte ditë që të mos fliste dhe rebelohej, pasha e së cilave priste më keq se shpata.

167. Mihailo Mihailov, disident i njohur jugosllav: Mbajtja e Adem Demaçit 28 vjet në burg nuk ka logjikë
Kur kam ardhur në Burgun e Pozharevcit, në vitet 1967 dhe 1968, kam qenë në të njëjtin pavijon me Adem Demaçin. Aty kemi zhvilluar biseda të pafundme. Në atë kohë ishte dogmatik total, por, po e shoh, sipas intervistave, se nuk është më i tillë. Po dëgjoj se po e thërrasin “Mendela i Kosovës”. I ka kaluar i gjori 28 vjet në burg! Është e habitshme pse e kanë mbajtur. Mendoj se aty nuk ka logjikë.

168. Mikel Sopi, klerik i kishës katolike: Udhëheqja e Adem Demaçit të KMDLNJ-së arriti angazhimin e rreth 2000 anëtarëve në Këshill
Në pranverë të vitit 1991 Adem Demaçi merr kryesinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Me ardhjen e tij në krye të Këshillit, nga një kolektiv prej gjithsej 25 vullnetarësh, së shpejti Këshilli hapi shumë degë në Kosovë dhe jashtë vendit duke arritur numrin prej rreth 2000 anëtarësh.

169. Milazim F. Kadriu, publicist: Adem Demaçi ishte dhe mbeti flamurtar
Adem Demaçi ishte dhe mbeti Flamurtari, Udhërrëfyesi dhe Sinonimi i përhershëm dhe emblematik i luftës dhe të të gjitha përpjekjeve tjera çlirimtare dhe patriotike të kombit dhe atdheut tonë të përbashkët.

170. Milosh Mishoviç, historian: Adem Demaçi, nacionalist dhe separatist i njohur
Organizata “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, në krye të së cilës ishte juristi i padiplomuar dhe shkrimtari Adem Demaçi, është zbuluar nga fundi i vitit 1963 dhe fillimi 1964. Në të vërtetë, ky ishe konfrontimi i dytë i Demaçit me ligjin. Ky nacionalist i njohur dhe separatist për herë të parë është zbuluar në vitet e pesëdhjeta si udhëheqës i organizatës ilegale “Lëvizja Revolucionare Antirevizioniste”, e cila kishte vepruar në rrethin e Prishtinës dhe Podujevës, qëllimi i së cilës ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

171. Muhamet Koci, gazetar: Baca Adem Demaçi deklaroi: “Gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Serbi ai është sjell si burrështetas i vërtetë”
Baca Adem Demaçi, duke folur për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi, ka thënë: “Edi Rama, gjatë vizitës në Beograd, është sjellë si burrshtetas i vërtetë. Paraqitja e Ramës përballë Vuçiqit ka qenë pa ndjenja inferioriteti dhe pa ndonjë vërejtje. Pas kësaj vizite Serbia duhet ta kuptojë se shqiptarët dhe Shqipëria janë plotësisht të barabartë me serbët dhe Serbinë”.

172. Muhamet Mavraj, botues i gazetës “Epoka e re”: Adem Demaçi hyri në politikë për t’i dhënë asaj e jo për të marrë nga ajo
Adem Demaçi është nga ata tipat ideal të politikanëve të Max Weberit që në politikë hyjnë për t’i dhënë asaj dhe jo për t’i marrë. S’njoh edhe një njeri më të ndershëm se Adem Demaçi kur i mendoj gjithë ato që mund t’i ketë për vete dhe i përbuzë. Jam me fat që i takoj kombit të tij.

173. Muhamet Pirraku, historian: Adem Demaçi, përjetësisht eci vertikalisht
Adem Demaçi u krijua, u fërgua dhe u farkëtua në dhjamin e vet, me ndërgjegjen ekzemplar, për t’u ardhur si udhërrëfyes dhe mësues Brezave të lirisë shqiptare. Baci eci përjetësisht vërtikalisht.

174. Muhamet Rogova, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, themelues i organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”
Thirrjes që lëshoi Adem Demaçi në vitin 1963, si themelues i organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, iu bashkuan me qindra intelektualë atdhetarë gjithandej Kosovës. Kështu, për një kohë shumë të shkurtër, organizata formoi Degët e saja në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup dhe në Stamboll.

175. Mujë Berisha, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçin e vlerësoi Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”
Duke e vlerësuar veprimtarinë e Adem Demaçit, Parlamenti Evropian, më 12 tetor 1991, e dekoroi në Strasburg me Çmimin “Saharov”. Po kështu, Klubi Evropian i Rektorëve të Universiteteve të Evropës i dha Çmimin special për paqe kundër racizmit e ksenofobisë.

176. Mujë Rugova, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”: Adem Demaçi është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës
Adem Demaçi është pjesë e pandashme e historisë më të re të Kosovës. Adem Demaçi është shembulli më unik i cili ka rrezatuar fuqi të jashtëzakonshme të ndikimit politik e atdhetar në kohën kur pjesën më të madhe dhe më vitale të jetës e ka kaluar në qelitë e burgjeve jugosllave.

177. Murat Jashari, pinjoll i familjes historike Jashari nga Prekazi: Adem Demaçi, margaritar i kombit tonë
Adem Demaçi është margaritar, dhe margaritari, siç do të thoshte Sami Frashëri, mbetet margaritar edhe kur duket i prerë shtrembër. Nga Bacë Adem Demaçi kemi çka mësojmë edhe sot prej tij dhe shumë do të mësojnë, nesër, gjeneratat që do të vijnë pas tij.

178. Murteza Nura, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Adem Demaçi, njeri i vetëflijimit me vetëdije
Adem Demaçi dhe bashkëveprimtarët e tij ishin individë me moral të lartë, që u pagëzuan si njerëz të dritës, u vetëflijuan me vetëdije. Këta e ndezën pishtarin e lirisë dhe e mbajtën me dinjitet të mos shuhet, për të ecur e për të ndriçuar rrugën nëpër tunelin e errët që kishte hapur armiku për ta, dhe dolën faqebardhë matanë tij.

179. Musa Haxhiu, dekan i Fakultetit të Mjekësisë të UP-së: Demaçi dhe Saharovi sakrifikuan për Hmanitetin, Lirinë dhe Drejtësinë
Adem Demaçi është viktima më tragjike e bolshevizmit në Jugosllavi. Është simbol i rezistencës paqësore dhe demokratike për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Jugosllavi. Një pikë e përbashkët që e lidhë Demaçin me Saharovin, janë sakrificat e tyre për Humanitetin, Lirinë dhe Drejtësinë.

180. Musa Hoti, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare: Juve, Bacë Adem Demaçi, ju kishim në shpirt e në zemër
Juve, Bacë Adem Demaçi, ju kishim në shpirt e në zemër edhe atëherë kur dirgjeshit në kazamatet e ish-Jugosllavisë, mirëpo mbetët në zemrat tona edhe sot, kur jeni të rrethuar me shkrimtarë, poetë, gazetarë e intelektualë të tjerë nga Kosova në grevën e urisë dhe në grevën e përgjithshme kundër shkallëzimit të armiqësisë famëkeqe çetnike të Beogradit.

181. Mustafë Statovci, gazetar: Adem Demaçi bëri jetë të pandërprerë patriotike, si brenda si jashtë burgut
Pesëdhjetë e tetë vjet nga jeta e këtij burri, Adem Demaçit, të ndara më dysh, prej të cilave gjysmën i bëri matanë e gjysmën tjetër këtej grilave, ecën e vazhduan të ecin nëpër disa binarë paralelë: aktiviteti i pandërprerë politik e patriotik brenda dhe jashtë burgut.

182. Mustafë Xhemajli, shkrimtar: Adem Demaçi, institucion moral i shqiptarëve
A mjafton vetëm ta përshkruajmë punën e Adem Demaçit, a mjafton vetëm të konstatojmë, vazhdimisht, në stilin: Adem Demaçi është… Apo duhet bërë më shumë, për të shkruar librin e plotë, apo përafërsisht të plotë, për këtë institucion moral të kombit tonë.

183. Myrvete Dreshaj-Baliu, shkrimtare: Biografia e Adem Demaçit shihet në shumë aspekte dhe paradigma
Në rrethanat e sotme biografia historike e Adem Demaçit shihet në shumë aspekte dhe paradigma e saj shkon nga ideologjia te historia, nga tradicionalja dhe etnografia te prejardhja sociale dhe nga kujtesa historike te synimet e saj. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për nderë të 10-vjetorit  të Pavarësisë, flamuri i shtetit të…